Massimo Moratti: Rivali kryesor i Interit për titull është Napoli, jo Milan - me Mourinhon flasim nganjëherë
Ish-presidenti dhe pronari i Inter, Massimo Moratti, shpeshherë nuk ngurron që të thumbojë skuadrat kundërshtare, duke treguar dashurinë e madhe për Inter, e cila nuk iu është tretur kurrë, pavarësisht që pas tij janë trashëguar dy pronarë, nga Erick Thohir e pastaj te Steven Zhang. Ai gjatë një interviste të sotme të dhënë për Radio Rai, ka folur për shumë tema, por kryesisht duke u ndalur te lufta për titull, e cila po bëhet gjithmonë më e nxehtë, veçmas pas hapave falsë që bëri Milan në gjashtë ditë të vetme, duke lëshuar pikë ndaj Bologna dhe Torino. Por, pa harruar edhe raportin me Josè Mourinhon.
Në Itali pas një kohe të gjatë është rikthyer Josè Mourinho. Trajneri portugez ishte larguar nga Inter mes lotësh duke u përqafuar me Materazzin pas triumfit në 'Bernabeu' ku Inter fitoi pas katër dekadash Ligën e Kampionëve ndaj Bayern Munchen me rezultat 2 me 0. Paas 11 vitesh Mourinho u rikthye në futbolli italian, duke marrë drejtimin e pankinës të Roma [për dy sezone rivale e Interit të tij në luftë për titull], ku zëvendësoi Fonsecan.

"Me Mourinhon flasim nganjëherë. Gjithmonë mbetet i njëjti, person shumë i gjallë, i dashur dhe miqësor. Uroj që të ketë shumë suksese, por jo kundër Interit pas Pashkëve", deklaroi ai mes të qeshurave.
Temë diskutimi javëve të fundit në Itali është fati i sulmit të Inter në vitin e ardhshëm. Pasi Dybala dhe Juventus nuk gjetën kohezion që të arrijnë marrëveshje për rinovimin e kontratës, ai u lidh menjëherë me një transferim të mundshëm në Inter me parametra zero, duke ditur edhe afërsinë e madhe që ka ylli argjentinas me drejtorin sportiv të Inter, Beppe Marotta. Përveç kësaj, edhe Lukaku është shndërruar në element diskutimi, pasi nuk po e gjen veten mirë në Chelsea, ku nuk po përshtatet ashtu siç mendonte me skemat e skuadrës së udhëhequr nga trajneri gjerman Tuchel.
"Dybalan do ta merrja në çdo rast, gjithmonë. E vlerësoj njëmend të fortë. Besoj që një qendërsulmues na nevojitet. Nëse nuk do të jetë Lukaku, do të duhet të jetë dikush tjetër, edhe pse Dzeko është lojtar i madh. Nga ky i fundit presim më shumë vazhdimësi, veçanërisht nga tani deri në përfundim të sezonit", deklaroi Moratti.
Në pyetjen nëse e priste që Juventus të dilte kaq shpejt nga gara për titull në kampionat, Massimo Moratti u përgjigj: "Nuk besoj që Juventus është jashtë garës, fatkeqësisht. Në një mënyrë apo tjetër ia del të fitojë dhe tre skuadrat që prinë në renditjen tabelare duhet të kenë kujdes nga bardhezinjtë, sepse nuk dorëzohen kurrë", shtoi ai.
Ai pastoi thumboi tërthorazi Milanin, duke thënë që edhe pse Napoli dje bëri një paraqitje jo të mirë duke pësuar humbje, ai prapëseprapë i sheh ata rivalët kryesorë të Interit për titull.
"Napoli luante mirë kohëve të fundit. Çuditërisht humbet shumë në shtëpi, por dje Fiorentina ka luajtur vërtet mirë. Nuk e prisja humbjen, por gjithsesi mendoj që s'ka kundërshtar më serioz për Interin sesa Napoli", nënvizoi Moratti.
Për fund ai nuk hezitoi ta kritikojë edhe sistemin e futbollit italian që nuk ka bërë mjaftueshëm kohërave të fundit për ta ngushtuar dallimin në cilësi me atë anglez.
"Dje ishim dëshmitarë te një ndeshje të madhe në Angli. Ritmi ishte komplet ndryshe dhe kjo edhe për faktin që posedojnë kualitet të lartë në aspekt individual. Kampionati ynë me Premierligën janë dy sporte të ndryshme. Skuadrat tona janë në krizë, por nuk kanë bërë mjaftueshëm që ky dallim të mos ndodhte", përfundoi ish-presidenti historik i Inter, Massimo Moratti.