KATAR 2022 | Martinez: Mbappe nuk di mjaftueshëm rreth futbollit
Portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez, ka kritikuar yllin francez, Kylian Mbappe, me këtë të fundit që kishte folur për cilësinë e futbollit në Amerikën Jugore. Numri një i portës së argjentinaseve tha se ylli i PSG-së nuk di mjaftueshëm për futbollin.
Mbappe gjatë muajit maj tha se kombet evropiane janë më të përgatitura për Kupën e Botës sepse luajnë "ndeshje të nivelit të lartë gjatë gjithë kohës" kundër njëri-tjetrit, ndërsa Argjentina dhe Brazili nuk përballen me të njëjtat kërkesa. Martinezit këto deklarata iu kujtuan nga një reporter të shtunën gjatë një interviste para finales së Kupës së Botës dhe ai u përgjigj.

"Ai nuk di mjaftueshëm për futbollin. Ai kurrë nuk ka luajtur në Amerikën e Jugut. Kur nuk e keni këtë përvojë, mund të jetë më mirë të mos flisni për të. Por nuk ka rëndësi. Ne jemi një ekip i madh, i njohur si i tillë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Martinez nuk është i vetmi yll argjentinas që flet kundër komenteve të Mbappes. Sulmuesi Lautaro Martinez argumentoi se ajo që ka thënë Mbappe ishte "e padrejtë", ndërsa ish-trajneri brazilian Tite iu kundërpërgjigj duke thënë se Brazili nuk ka "Azerbajxhanin kundërshtar për të luajtur. Ne nuk kemi askënd kundër në fushë që të jep pushim".

Martinez dhe bashkëlojtarët tjerë duhet të jenë të gatshëm sot për t'i treguar Mbappes se janë edhe më të mirë se gjelat duke i mundur në finalen e Kupës së Botës, që zhvillohet mes Argjentinës e Francës me fillim nga ora 16:00 në Lusail Stadium.
