Mario Balotelli drejt rikthimit në Itali, e duan tre klubet e Serie A
Sulmuesi Mario Balotelli dëshiron largimin nga Adana Demirspor për t’u kthyer në Serie A, ku kërkohet nga Udinese, Salernitana dhe Empoli.
33-vjeçari ka kontratë në Turqi deri më 30 qershor, por ekziston edhe klauzola për ta vazhduar për një tjetër vit.
Italiani e nisi shkëlqyeshëm sezonin me tre gola në pesë ndeshje në Superligën e Turqisë, por pastaj mori një lëndim në gju – ku iu nevojit operacioni në nëntor.
“Footmercato” raporton se Balotelli është i gatshëm të largohet nga Adana dhe preferon rikthimin në Serie A, me shpresën që të marrë një ftesë nga Italia për “Euro 2024”.
Tre klube italiane tashmë janë duke menduar për nënshkrimin me Balotellin, me trajnerin e Salernitanas Pippo Inzaghi që e sheh si opsion interesant pasi edhe Boulaye Dia është i lënduar.
Udinese në anën tjetër po vuan për gola këtë sezon, e sidomos pasi Florian Thauvin po konsideron largimin dhe transferimin në Ligue 1.
Ndërsa, alternativa e fundit raportohet të jetë Empoli që po lufton për mbijetesë dhe kanë shpresa se Balotelli mund t’i shpëtojë.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse Adana Demirspor do ta pranojë shitjen e Balotellit në mesin e sezonit.