Marcus Rashford refuzon PSG-në, preferon qëndrimin te Man Utd
Sulmuesi Marcus Rashford preferon të qëndrojë te Manchester United, andaj do ta refuzonte kalimin te Paris Saint-Germain këtë verë.
Anglezi është identifikuar si zëvendësues i Kylian Mbappes nga gjiganti francez, pasi ky i fundit është drejt kalimit te Real Madridi.
Rashford edhe pse ka vuajtur për gola këtë sezon, nuk e sheh të ardhmen larg “Old Trafford” sidomos pasi ka nënshkruar kontratë afatgjatë sezonin e kaluar.
“The Sun” raporton se edhe nëse PSG bën ofertë, qoftë edhe nëse arrin marrëveshje me Man Utd, anglezi do ta refuzonte kalimin në Francë.
Trajneri Erik ten Hag insistoi javën e kaluar se Rashford ishte pjesë e rëndësishme e vizionit të klubit për të ardhmen.
Edhe aksionarët e rinj INEOS me Jim Ratcliffe i qëndrojnë të njëjtit mendim, pavarësisht paraqitjeve të Rashfordit këtë sezon.
Përndryshe, Rashford dje shënoi një gol të bukur në kohën shtesë ndaj Liverpoolit për ta barazuar rezultatin në 3:3, me Diallon që realizoi në fund për ta dërguar 20 herë kampionin e Anglisë në gjysmëfinalen e FA Cupit.