Mancini: Nuk shoh favorit në 'play-off', Maqedonia e Veriut mbrohet mirë
Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini ka folur para ndeshjeve të rëndësishme të ‘play-off’, duke deklaruar që nuk ka asnjë favorit dhe nuk do ketë ndeshje të lehta gjithashtu.
Italia nesër do të përballet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të 'play-off', ndërsa fituesi pastaj do të përballet me Portugalinë ose Turqinë në finale, për një vend në Kupën e Botës.
Mancini thotë se nuk kanë pasur shumë kohë që të pushojë nga rrugëtimet e gjata dhe ndeshjet e shumta.
"Nuk kemi pasur shumë kohë, djemtë duhet ta marrin veten nga rrugëtimet e gjata dhe nga shumë ndeshje të zhvilluara, pra kemi pasur vetëm gjysmë ditë që të flasim për situatën e taktikave".
"Për këtë arsye jemi të fokusuar në lojtarët e njëjtë që fituan Kampionatin Evropian, ngase e njohin njëri-tjetrin dhe e dinë çfarë duhet të bëjnë".
Gjithashtu, në këtë grumbullim të Italisë ndodhen nëntë lojtarë që kanë pasur eksperiencë në eliminimin nga Suedia në nëntorin e vitit 2017, i vetmi vit përpos 1958, kur Italia dështoi të kualifikohet në një turne zyrtar.

"Kjo është jeta e figurës sportive, ka ngritje dhe zbritje, uroj që të kemi eksperiencë vetëm ën fitore. E tëra që duhet të bëjmë është të koncentrohemi tek vetja jonë. Italia zhvillon futboll të bukur dhe nuk duhet të fokusohemi në asgjë tjetër".
I pyetur nëse sheh ndonjë favorit në këtë 'play-off', tekniku italian u shpreh se nuk ka favorit as në ato ndeshje që duken të 'lehta në letër'.
"Nuk shoh favorit, sepse çdo lojë duhet të zhvillohet, duke përfshirë ato që shihen të lehta në letër".
"Maqedonia e Veriut mbrohet mirë dhe kanë teknikë të mirë, mos harroni fituan si mysafir i Gjermanisë në kualifikuese. Na duhet durim, por nis 0:0, nuk është që do rikthejmë ndonjë rezultat".
Ndeshja mes Italisë dhe Maqedonisë së Veriut zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45.