Manchester Unitedi i nxjerr në shitje 13 futbollistë
Manchester Unitedi është duke synuar t’i shesë hiç më pak se 13 futbollistë, për ta financuar blerjen e futbollistëve të rinj për sezonin 2023/24.
Raportohet se djajtë e kuq janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për 13 lojtarë nga skuadra e tanishme, përfshirë yjet si Jadon Sancho, Harry Maguire, Anthony Martial dhe Scott McTominay.
Trajneri Erik ten Hag është i gatshëm ta largojë edhe portierin e dytë, Dean Henderson, dhe mbrojtësit Alex Telles, Eric Bailly, dhe Brandon Williams.

Unitedi u ka vënë çmim shitjeje tashmë mesfushorëve Donny van de Beek dhe Fred, rreth 25 milionë euro për secilin. Anthony Elanga është një lojtar tjetër që po shihet si tepricë bashkë me të rinjtë Hannibal Mejbri dhe Zidane Iqbal.
Klubi dëshiron t’i bëjë të paktën tri përforcime të mëdha këtë verë, një sulmues, një mesfushor dhe një portier, por për shkak të rregullave të fair play financiar, Unitedi do të jetë në gjendje t’i shpenzojë vetëm 150 milionë euro.
Unitedi shpreson se do t’i fitojë rreth 120 milionë euro nga shitja e lojtarëve për ta rritur buxhetin e Ten Hagut.
Pamundësia për të shpenzuar shumë këtë sezon është ndër arsyet pse nuk po pranon t’ia paguajë Chelseat 70 milionë eurot që po i kërkon për ta shitur Mason Mountin.
Me një buxhet të kufizuar, Unitedi me gjasë do të dështojë të blejë emra të mëdhenj në sulm, si Harry Kane i Tottenhamit apo Victor Osimhen i Napolit.