Manchester United kësaj radhe ia del kundër Leedsit, shënon fitore në udhëtim
Manchester United pasi barazoi 2:2 kundër Leedsit në mesjavë në “Old Trafford”, sot ia doli që të fitojë ndaj po të njëjtës skuadër, vetëm se kësaj radhe në udhëtim, duke e mposhtur me rezultat 2:0.
Edhe pse vuajti shumë sërish ndaj Leedsit, “Djajtë e Kuq” e gjetën rrugën e fitores, falë dy golave të cilat i fituan në fraksionin e fundit të lojës.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e fortë nga të dy ekipet. Loja ishte tej mase e ekuilibruar, duke dhënë shenja se fati i saj do të zgjidhej nga detajet.
Këto detaje dolën në pah në fund të takimit. Pasi Manchester United bëri një seri zëvendësimesh me të kaluar një orë lojë, gjërat filluan të ndryshojnë në të mirë të mysafirëve.
Kështu, në minutën e 80-të pas një harkimi të mirëfilltë nga Shaw, ishte Rashford ai që nguliti bukur topin me kokë, duke e dërguar në rrjetë për 1:0.
Manchester United pasi u zhbllokua filloi që të luante akoma më rrjedhëm. Leeds u detyrua që të nisej e gjitha në sulm për ta barazuar rezultatin dhe një qasje e tillë i bëri gjërat edhe më të lehta për skuadrën e Ten Hag.
Në minutën e 85-të pas një tranzicioni të shpejtë dhe konkret, Weghorst pasoi për Garnacho. Argjentinasi i ri i ndodhur pranë portës pa shumë problem mposhti portierin Meslier, për ta vulosur kështu fitoren 2:0.
Pas këtij takimi Manchester United përkohësisht merr pozitën e dytë tabelore me 46 pikë, kurse Leeds mbetet e rrezikuar, pasi zë vendin e 17-të me 19 pikë të grumbulluara.

Përmbledhja e ndeshjes Leeds - Manchester United:
