Manchester City rikthehet në krye të Premierligës, fiton ndaj Brightonit - NACIONALE

Manchester City rikthehet në krye të Premierligës, fiton ndaj Brightonit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City është kthyer te fitoret në Premierligë dhe si rrjedhojë ka marrë sërish kreun e elitës angleze, edhe pse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht. ‘Qytetarët’ e mposhtën Brightonin 2:1 në Etihad Stadium.

Në prag të ndeshjes, si Pep Guardiol ashtu edhe Roberto de Zerbi, patën fjalë të mira për njëri-tjetrin, me spanjollin që tha se italiani do të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester Cityt, duke vlerësuar në maksimum punën e tij.

Ndeshja e sotme, mes dy skuadrave që kanë filluar mirë sezonin 2023/2024 shkoi në të mirë të Manchester Cityt, që për një nuancë ishte më e mirë gjatë tërë takimit, si në raste të krijuara ashtu edhe në posedim të topit.

Ishte Julian Alvarez që çoi në epërsi 1:0 kampionin në fuqi, në minutën e shtatë, pasi paraprakisht Jeremy Doku bëri veprime individuale shumë të bukura në zonën e kundërshtarit.

Nuk vonoi shumë dhe skuadra e Guardiolës dyfishoi epërsinë. Kësaj radhe një gabim nga rivënia anësore, bëri që Erling Haaland ta fitonte topin dhe me një goditje të fortë nga distanca, shënoi gol fantastik për 2:0 në minutën e 19-të.

Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushimin 15 minutësh.

Në 45 minutat e dyta u shënua vetëm një gol, dhe ai nga mysafirët, që nuk ishte i mjaftueshëm që skuadra e Roberto de Zerbit të kthehej më në lojë.

Ishte Ansu Fati që shënoi për 2:1 në minutën e 73-të, pasi Manuel Akanji nuk arriti ta largonte topin mirë nga zona.

Me rezultatin 2:1 përfundoi takimi dhe Manchester City u kthye te fitoret. ‘Qytetarët’ ndonëse përkohësisht, kanë rrëmbyer pozitën e parë në elitë me 21 pikë në nëntë xhiro, ku Tottenham dhe Arsenal kanë nga 20 pikë me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Brighton mbetet në kuotën e 16 pikëve në vendin e shtatë.

Lajme të ngjashme