Manchester City kryen detyrën ndaj Newcastle United - rimerr kreun e Premierligës - NACIONALE

Manchester City kryen detyrën ndaj Newcastle United - rimerr kreun e Premierligës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ashtu siç pritej, ka arkëtuar pikët e plota në shtëpi ndaj Newcastle United.

"Qytetarët" fituan me rezultat të thellë 5:0 në "Etihad Stadium", në kuadër të xhiros së 36-të në Premierligë.

Skuadra e Pep Guardiolas ishte shumë më e mirë se Newcaslte në tërë lojën dhe me plotë meritë edhe morën pikët e plota.

Pas vetëm 19 minutave lojë, Raheem Sterling përfitoi nga një asistim i bukur nga Joao Cancelo që të hap serinë e golave, duke e vendosur klubin anglez në epërsi.

Newcastle barazoi rezultatin 10 minuta më vonë, mirëpo pas rishikimit të VAR-it, doli që ishte në pozitë jashtë loje, andaj edhe u anulua.

Pas këtij goli të pranuar, pavarësisht që u anulua, Man City u tregua skuadër më e kujdesshme duke vazhduar futbollin e bukur dhe dyfishuan epërsinë me anë të Aymeric Laporte që shënoi nga afërsia pas një gabimi të portierit, i cili nuk e kapi topin (38').

Man City vazhdoi të kërkojë edhe më shumë golin gjatë 45 minutave të mbetura, duke realizuar edhe tre herë të tjera.

Ishte Kevin de Bruyne që me një harkim të hatashëm nga këndi gjeti për mrekulli Rodrin, i cili me kokë dërgoi topin në portë (61').

Për golin e katërt u përkujdes Phil Foden, që realizoi duke devijuar gjuajtjen e Zinchenkos (90’)

Fitoren e gjigantit anglez e vulosi Sterling me një gol të bukur pas asistimit fantastik të Grealish (90+3’).

Me këtë fitore, Manchester City rimerr kreun me 86 pikë të tubuara, tre më shumë se Liverpool që mban pozitën e dytë me 83 sosh, derisa tani edhe me golaverazh qëndrojnë më mirë në krahasim me "Reds".

Ndërsa, Newcastle që objektivin e qëndrimit në Premierligë e siguroi kohë më parë, renditët në pozitën e 13-të me 43 pikë të tubuara.

Manchester City pas tre ditëve do të jetë mysafir i Wolves, derisa Newcastle do ketë punë ndaj Arsenalit.

Lajme të ngjashme