Manchester City fiton FA Cup, triumfon ndaj Unitedit - NACIONALE

Manchester City fiton FA Cup, triumfon ndaj Unitedit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Manchester City pas Premierligës, ka fituar edhe FA Cup duke mposhtur rivalin lokal Manchester United në finale.

“Qytetarët” ishin më të mirë se “Djajtë e Kuq” duke triumfuar me rezultat 2:1, në “Wembley” ku ishin të pranishëm mbi 90 mijë tifozë.

Vetëm 13 sekonda iu nevojiten Man Cityt të kaloi në epërsi. Ishte mesfushori Ilkay Gundogan që pas një pasimi të Kevin de Bruyne me një vollej të bukur e la të shtangur David de Gean.

Man City vazhdoi të dominoi plotësisht duke pasur dy raste të shkëlqyera me Rodrin dhe De Bruyne, por që s’i konkretizuan.

Kur nuk u priste, Man United ndërtoi një kundëraksion ku Jack Grealish preku topin me dorë brenda zonës dhe pas rishikimit të VAR-it, arbitri akordoi penallti.

Nga 11-metërshi, Bruno Fernandes ishte i pagabueshëm për të barazuar rezultatin, me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

Man City sërish e nisi më mirë pjesën e dytë dhe heroi ishte prapë Ilkay Gundogan që prapë realizoi një gol tjetër të bukur vollej (51’).

Man United tentoi me Marcus Rashford që provoi nga distanca me një goditje të fuqishme, por që larg rrjetës.

Man City në fakt shënoi prapë me anë të Gundoganit, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Një rast të artë Unitedi e kishte në kohën shtesë mirëpo McTominay dështoi nga afërsia.

Kështu, Man City shijon trofeun e dytë për këtë edicion dhe tani i mbetet vetëm Liga e Kampionëve që ta kompletojë tripletën.

Kurse, Man United këtë edicion e mbyll me një trofe – atë të Carabao Cup dhe sigurisht ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për edicionin 2023/24.

Lajme të ngjashme