Manchester City fiton bindshëm ndaj Evertonit, diferenca tani +4 pikë ndaj Arsenalit
Manchester City ka vazhduar me fitore në Premierligë, tani duke mposhtur Evertonin me rezultat 3:0, kështu duke shkuar në katër pikë më shumë se Arsenali, që është ndjekësi më i afërt.
Skuadra e Pep Guardiolës, ka hyrë në seri pozitive të rezultateve dhe është shumë afër që ta fitojë tripletën këtë sezon, pasi janë në garë edhe në Ligë të Kampionëve dhe në finale të FA Kupës.
Qytetarët shënuan dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën, për të marrë tri pikët e plota.
Ishte Ilkay Gundogan që shënoi gol shumë të bukur akrobatik në minutën e 37-të, për të kaluar Manchester Cityn në epërsi 1:0.
Vetëm dy minuta më vonë, mesfushori gjerman asistoi për Erling Haaland, që me kokë shënoi golin për 2:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.
Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol. Ishte Gundogan që shënoi gol shumë të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 51-të, për të vulosur fitoren 3:0.
Manchester City tani me tri ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar ka grumbulluar 85 pikë në 35 ndeshje.