Manchester City e pret sonte Atletico Madridin në një përballje stilesh - NACIONALE

Manchester City e pret sonte Atletico Madridin në një përballje stilesh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City do të përballet sonte me Atletico Madridin në atë që po cilësohet si një përplasje stilesh mes trajnerëve me ide plotësisht të kundërta për futbollin.

Takimi i parë çerekfinal në Ligën e Kampionëve mes skuadrës së Pep Guardiolës dhe Diego Simeones do të zhvillohet në Etihad në orën 21:00 dhe ky nuk do të jetë ballafaqimi i vetëm i mbrëmjes, pasi Benfica dhe Liverpooli do të takohen në çerekfinalen e dytë të këtij edicioni të garës.

Kjo do të jetë përballja e parë mes Cityt dhe Atleticos, por jo edhe mes dy trajnerëve.

Skuadra e Guardiolës është e njohur për futbollin e saj mbizotërues, me pasime të shpeshta dhe shkurtra, që është e kundërta e stilit të lojës së Simeones, të cilit i pëlqen ta vendosë skuadrën shumë mbrapa dhe të luajë në kundërsulm.

Por Guardiola reagoi ashpër ndaj kritikëve të stilit të lojës së Simeones gjatë konferencës për media para ndeshjes, duke e mbrojtur trajnerin spanjoll për mënyrën se si skuadra e tij luan.

“Nuk dua të flas asnjë sekondë për këtë debat të pakuptimtë. Të gjithë duan të fitojnë. Nëse ata fitojnë, ata kanë të drejtë. Nëse ne fitojmë, ne kemi të drejtë.

Ndërkohë, Simeone beson se kampioni anglez ka lojtarë më të mirë se skuadra e tij por është i bindur se Atletico mund ta arrijë gjysmëfinalen.

“Padyshim që Manchester City ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Ka lojtarë më të mirë se ne, por i kemi dy ndeshje për t’i luajtur. Manchester City dhe Bayern Munich janë favoritë për shkak të lojtarëve që kanë, por sezonin e kaluar fitoi Chelsea. Ata luajtën si ekip dhe fituan, askush s’e priste”, tha Simeone.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër sonte, Liverpooli do të përballet me Benfican, befasinë e sivjetme të Ligës së Kampionëve.

Të dy ndeshjet zhvillohen në orën 21:00.

Lajme të ngjashme