Manchester City akuzohet nga FA për pushtimin e fushës nga tifozët e saj
Kampioni i Premierligës, Manchester City, është akuzuar nga Federata e Futbollit anglez për pushtimin e fushës nga tifozët e saj pas fitore ndaj Aston Villas në ndeshjen e fundit, ku edhe u sigurua titulli kampion.
Tifozët vendas hynë në fushë për të festuar suksesin e skuadrës së tyre, por situata më pas doli nga duart.

Për çka akuzohet saktësisht Manchester City?
“Manchester City akuzohet për thyerjen e rregullit E20 të FA, në ndeshjen kundër Aston Villas të dielën e 22 majit 2022”, thuhet në hyrje të vendimit.
“Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit të takimit, Manchester City nuk arriti të sigurojë që tifozët dhe mbështetësit në stadium të sillen në mënyrë të rregullt dhe të përmbahen nga përdorimi i sjelljeve kërcënuese apo të dhunshme gjatë kohës sa ishin duke hyrë në fushë. Manchester City ka kohë që deri më 25 gusht 2022 të sjellë provat për t’iu përgjigjur kësaj akuze”, thuhet më tej në vendim.
— FA Spokesperson (@FAspokesperson) August 18, 2022
Çfarë ndodhi pasi Manchester City fitoi titullin?
Tifozët e qytetarëve pushtuan fushën pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit të takimit më 22 maj, me qëllim që ta festonin titullin e fituar me shumë vështirësi dhe mbi të gjitha me vetëm një pikë epërsi ndaj Liverpoolit.
Disa nga tifozët hipën mbi shtyllë, sidoqoftë, shtylla nuk mund të mbante tërë atë peshë, që rezultoi me rënien e saj në tokë.
Mbi të gjitha, portieri i Aston Villas, Robin Olsen, ishte sulmuar nga tifozët, teksa ai po tentonte largimin nga fusha.
Hetimet policore filluan shumë shpejtë dhe disa nga sulmuesit janë të akuzuar, ndërsa ka pasur edhe ndalime që janë dhënë për hyrjen në stadium.
Manchester City, kampion i sezonit 2021/22
Xhiroja e fundit e Premierligës në sezonin 2021/22 ishte mjaftë e nxehtë dhe premtonte shumë.
Manchester City hynte në ndeshjen ndaj Aston Villës me një pikë më shumë se Liverpool që luante ndaj Wolverhampton, dhe qytetarëve i duhej patjetër fitorja në mënyrë që në fund të festonte titullin kampion.

Kur po zhvilloheshin 70 minuta ndeshje në Etihad, Aston Villa po fitonte 2:0 me golat e Philippe Coutinhos dhe Matty Cash, por nga minuta e 76-të deri në minutën e 81-të, City shënoi tre gola për ta kthyer rezultatin në anën e tyre, pra 3:2 me dy golat e Ilkay Gundogan dhe Rodrit, kështu duke triumfuar për të tetën herë në histori të ekzistimit të saj dhe të katërtin në pesë vitet e fundit.