Mançesteri mbetet i kaltër: City fiton bindshëm ndaj Unitedit - NACIONALE

Mançesteri mbetet i kaltër: City fiton bindshëm ndaj Unitedit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka marrë fitoren e radhës, duke e mposhtur në udhëtim Manchester Unitedin, në kuadër të kryederbit të xhiros së 10-të në Premierligë.

“Qytetarët” ishin më të mirë se “Djajtë e Kuq” me epilogun përfundimtar që doli të jetë 0:3.

Man United e nisi më mirë duke krijuar disa raste të shpejta, por iu mungoi finalizimi.

Sidoqoftë, Rasmus Hojlund shkaktoi një penallti duke e faulluar Rodrin, ku pas rishikimit të VAR-it gjyqtari akordoi 11-metërsh.

Nga pika e bardhë i pagabueshëm doli të jetë Erling Haaland që i dha epërsinë Man Cityt (26’).

Pas vetëm disa minutave, United kishte një rast të mirë shënimi me Hojlund, por që dështoi ta finalizonte.

Haaland gjithashtu kishte një rast të artë mirëpo Onana bëri një ndër pritjet më të bukura të sezonit për t’ia mohuar golin.

Në pjesën e dytë, skuadra e Pep Guardiolas ishte më dominuese dhe me plot meritë arkëtoi pikët e plota.

Fillimisht, Bernardo Silva u hap më së miri pas një aksioni të shpejtë duke e gjetur të harruar Haalandin, që realizoi me kokë (49’).

Fitoren e Cityt e vulosi Phil Foden që shënoi nga afërsia pas një asistimi të Haalandit (80’).

Man City me këtë tre pikësh ngjitët në pozitën e tretë në Premierligë me 24 pikë derisa United zë vendin e tetë me 15 sosh.

Lajme të ngjashme