Man Utd triumfon ndaj West Hamit, Wolves e mposht Chelsean
Manchester United ka shënuar fitore bindëse ndaj West Hamit, derisa Chelsea u mposht në shtëpi nga Wolves, në kuadër të xhiros së 23-të në Premierligë.
“Djajtë e Kuq” shkëlqyen në “Old Trafford” duke triumfuar me rezultat bindës 3:0.
Man United ishte shumë herë më e mirë nga fillimi duke pasur raste të njëpasnjëshme.
Rasmus Hojlund i dha epërsinë vendasve duke realizuar me një goditje precize pas një driblimi fantastik.
Ndërsa, ishte Alejandro Garnacho që shënoi nga distanca për ta dyfishuar epërsinë nga asistimi i Fernandesit (49’).
Argjentinasi vazhdoi me këtë formë fantastike duke e realizuar edhe golin e dytë personal dhe njëkohësisht të fitores pas asistimit të McTominay (84’).
Me këtë fitore, Man United ngjitët në pozitën e gjashtë me 38 pikë derisa West Ham bie në vendin e shtatë me 36 sosh.
Ndërkohë, Chelsea duket se nuk di për këndellje ku kanë pësuar humbjen e radhës me rezultat 2:4 nga Wolvesi.
“Blutë” edhe pse e nisën mirë, nuk e mbajtën rezultatin me mysafirët që arritën t’i dominonin.
Cole Palmer pas asistimit të Caicedos i dha epërsinë Chelseas pas 19 minutave lojë.
Por gëzimi i vendasve zgjati tre minuta, pasi Wolves me një aksion të shpejtë e barazuan rezultatin me Cunha që u asistua nga Gomes.
Disasi ishte fytyra tragjike në përfundimin e pjesës së parë duke realizuar një autogol për t’i vendosur mysafirët në epërsi (43’).
Wolves ishte shumë herë më e mirë në pjesën e dytë, pasi Cunha realizoi golin e tretë pas asistimit të Netos (63’).
I njëjti më pas kompletoi het-trikun duke qenë i saktë nga pika e bardhë (82’).
E tëra që bëri Chelsea ishte goli i dytë dhe njëkohësisht i fundit përmes Thiago Silvas që realizoi pas harkimit të Mudryk (86’).
Chelsea renditet në pozitën e 11-të me 31 pikë derisa Wolves në vendin e 10-të me 32 sosh.