Man Utd ‘shokon’ Real e PSG-në, bën ofertë zyrtare për Yoron e Lilles
Manchester Unitedi ka bërë një ofertë zyrtare për të nënshkruar me mbrojtësin e Lilles Leny Yoro në verë.
Francezi e ka dëshmuar vetën si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në futbollin evropian, ndërsa u kërkua që disa muaj nga Real Madridi dhe Paris Saint-Germain.
Edhe pse mendohej se Yoro do të përfundojë në njërën nga këto dy klube, gjiganti anglez ka bërë lëvizjen e parë për të nënshkruar me yllin e Lilles.
“Marca” sugjeron se “Djajtë e Kuq” kanë bërë ofertë zyrtare në regjionin e 60 milionë eurove, që vlerësohet si mese e mjaftueshme për ta bindur edhe Lillen.
Yoro raportohet se ka diskutuar edhe me drejtuesit e Man Unitedit gjatë kohës kur ishte në “Wembley”, për të parë finalen e Ligës së Kampionëve mes Realit dhe Borussia Dortmundit.
Reali ka interesim serioz për Yoron dhe e ka këshilluar atë dhe agjentin Jorge Mendes që të presin edhe pak derisa t’i përfundojnë planet për afatin kalimtar dimëror.
Yoro gjithmonë ka shfaqur dëshirë për të luajtur në “Santiago Bernabeu”, mirëpo francezi duhet ta pranojë faktin se nuk mund të paguhet si te Unitedi në aspektin financiar.
Lille është duke pritur për ta shitur sa më parë, shkaku që ka hyrë në 12 muajt e fundit të kontratës, ndërsa lojtari ka refuzuar rinovimin.