Man Utd shënon fitore të rëndësishme ndaj Wolves, Tottenham mposhtet nga Aston Villa, Chelsea barazon me Forest
Manchester United ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në luftën për të qëndruar në katër pozitat e para, duke mposhtur me rezultat 2:0 Wolverhampton Wanderers, teksa Tottenham Hotspur u mposht nga Aston Villa 2:1 dhe Chelsea barazoi me Nottingham Forest 2:2.
Kur kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit, djajtë e kuq janë katër pikë para vendit të pestë që mbahet nga Liverpool, në luftën e ashpër për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Manchester United – Wolverhampton Wanderers
Skuadra e Erik ten Hag luajti një lojë shumë të mirë, me një dominim të plotë e shumë raste të krijuara, por shënuan dy gola gjatë 90 minutave lojë.
Goli i epërsisë u shënua në pjesën e parë, me sulmuesin francez, Anthony Martial, në minutën e 32-të, kur u asistua nga braziliani Antony, për rezultatin 1:0.
Për rezultatin përfundimtar u kujdes i riu argjentinas, Garnacho, që shënoi për 2:0 në minutat shtesë.
Edhe pse fituan, renditja nuk ndryshoi, ndonëse u barazuan me pikë me vendin e tretë, Newcastle United.
Aston Villa – Tottenham Hotspur
Vetëm një javë ka zgjatur gëzimi te Spurs, për fitoren e parë në pesë ndeshjet e fundit, pasi tani janë kthyer sërish te humbjet, duke pësuar 2:1 nga Aston Villa.
Jacob Ramsey shënoi shumë herët për 1:0, me asistimin e Leon Baileyt, në minutën e tetë të takimit.
Në pjesën e parë nuk pati më gola, teksa për dyfishimin e epërsisë u kujdes, Douglas Luiz në minutën e 72-të.
Krejt çfarë Tottenham arriti të bënte në këtë takim, ishte të shënonte me anë të kapitenit, Harry Kane, nga penalltia për ngushtimin e rezultatit në 2:1, në minutën e fundit të takimit.
Tottenhami tani edhe zyrtarisht është jashtë top katërshes, teksa rrezikon dhe pozitën gjashtë.
Chelsea – Nottingham Forest
Pas fitores së parë që arritën një javë më parë në krye me Lampard, Chelsea sërish është kthyer te rezultatet jo të mira, duke barazuar me Forest 2:2.
Të parët që shënuan ishin mysafirët, kur Awoniyi çoi rezultatin në 1:0 në minutën e 13-të, që ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë, reagimi i të kaltërve ishte i shpejtë, pasi shënuan dy herë, për të përmbysur rezultatin.
Ishte Raheem Sterling që shënoi për barazimin e rezultatit në 1:1, gjashtë minuta pasi filloi pjesa e dytë.
Pak minuta më pas, saktësisht në minutën e 58-të, Sterling shënoi golin e dytë personal dhe golin për epërsinë e parë të Chelseat në ndeshje.
Ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi që Awoniyi doli sërish në skenë, për të shënuar në minutën e 62-të për rezultatin përfundimtar të ndeshjes 2:2.
Ky barazim për Chelsean nuk ishte i rëndësishëm fare, pasi tani ata kanë siguruar mbijetesën, teksa për kualifikimin në gara evropiane, shpresat janë humbur që më parë.