Man Utd e ofron Sanchon si pjesë shkëmbimi për Raphinhan
Manchester United e ka ofruar sulmuesin Jadon Sancho te Barcelona si pjesë shkëmbimi për Raphinhan.
Anglezi është ende i përjashtuar nga Ten Hag shkaku që u ankua në rrjetet sociale pasi tekniku holandez nuk e ftoi për ndeshjen ndaj Arsenalit.
Man Utd e ka vendosur në shitje Sanchon qysh në janar, por e dinë se assesi s’do të arrijnë të rikthejnë 72 milionë funtet që paguan në vitin 2021.
Sipas mediumit spanjoll “Sport”, Man Utd e ka ofruar Sanchon si pjesë shkëmbimi për ta blerë Raphinhan dhe Barcelona është e hapur për një mundësi të tillë.
Katalunasit vazhdojnë të kenë probleme të mëdha financiare dhe braziliani konsiderohet si një ndër asetet më të mëdha për t’u shitur.
Raphinha iu bashkua Barcelonës për 65 milionë funte në vitin 2022 por ka dështuar të adaptohet me presionin në “Camp Nou”.
Për Sanchon, interesim të madh ka edhe Juventusi që po synon ta huazojë me opsion blerje në fundin e sezonit.
Ndërkohë, anglezi do ta pranonte kalimin qoftë në Itali ose edhe në Spanjë me shpresën ta shpëtojë karrierën dhe të gjejë formën e cila mund t’i sigurojë një vend në listën e Southgate për “Euro 2024”.