Man United pranë kualifikimit në çerekfinale, triumfon ndaj Real Betisit
Manchester United ka shënuar fitore komode ndaj Real Betisit, në kuadër të raundit të 16-të në Ligën e Evropës.
"Djajtë e Kuq" fituan me rezultat bindës 4:1, sfidë që e dominuan nga minutat e parë.
Pas vetëm gjashtë minutave lojë, sulmuesi Marcus Rashford dribloi për mrekulli lojtarët e Betisit dhe me një goditje fantastike i dha epërsinë Man Unitedit (6').
Real Betis arriti të kundërpërgjigjet përmes Ayoze Perez që shënoi nga një pozitë jo e favorshme për të barazuar rezultatin (32').
Në pjesën e dytë, ishte sulmuesi brazilian Antony që realizoi një gol të mrekullueshëm nga dsitanca (52') për t'i kthyer epërsinë vendasve.
Ndërsa, vetëm gjashtë minuta më vonë Bruno Fernandes shënoi me kokë pas një harkimi të Luke Shaw për të qetësuar tifozët e pranishëm në "Old Trafford".
Fitoren e Man Unitedit e vulosi Wout Weghorst që u gjend në vendin e duhur pas një topi të kthyer nga goditja e McTominay (82').
Kësisoj, "Djajtë e Kuq" tani janë shumë pranë kualifikimit me ndeshjen kthyese që zhvillohet të enjten tjetër.