Brighton shënon një fitore të vonshme ndaj Manchester Unitedit
Brightoni ka marrë një fitore të madhe në shtëpi ndaj Manchester Unitedit, në kuadër të ndeshjes që s'ishte zhvilluar në xhiron e 28-të në Premierligë.
Ndeshja doli të jetë mjaftë e hapur me dy skuadrat që kishin raste të njëpasnjëshme, por që vendasit fituan në kohën shtesë me rezultat minimal 1:0.
Pas vetëm katër minutave lojë, Brighton rrezikoi me anë të Kaouri Mitoma mirëpo De Gea arriti ta bllokojë goditjen me kokë.
Man United pastaj pati dy mundësi shënimi me anë të Marcus Rashfordit dhe Anthony Martialit mirëpo që asnjëri nuk ia doli të shënonte gjithashtu.
Edhe në pjesën e dytë, Brighton kishte një tjetër mundësi me anë të Mitomas, mirëpo që prapë nuk ia doli ta mposhtë De Gean.
Tutje, ndeshja ishte tejet e baraspeshuar me dy skuadrat që tentonin të ndërtonin disa aksione të shpejta mirëpo larg finalizimit.
Kur mendohej se ky do të ishte rezultati përfundimtar, Luke Shaw shkaktoi një penallti duke prekur topin me dorë brenda zonës dhe nga aty i pagabueshëm ishte Alexis Max Allister, që e mposhti De Gean (90+9').
Pas kësaj humbje, Man United mban pozitën e katërt me 63 pikë, derisa Brighton ngrihet në pozitën e gjashtë me 55 sosh.
Man Unitedi në xhiron e radhës do të jetë mysafir i West Hamit, derisa Brightoni do ta pres Evertonin.