Man United me përmbysje triumfon ndaj West Hamit, Sheffield United eliminon Tottenhamin nga FA Cup
Manchester United me rikthim ka eliminuar West Hamin, derisa Sheffield United ka befasuar Tottenhamin në kuadër të raundit të pestë në FA Cup.
"Djajtë e Kuq" avancuan në çerekfinale duke triumfuar me rezultat 3:1, derisa Sheffield United fitoi me rezultat 1:0.
Pjesa e parë mes dy skuadrave ishte shumë e qetë, me Man United që dominoi më shumë në posedim duke krijuar edhe raste më shumë.
Vendasit rrezikuan disa herë përmes Alejandro Garnachos dhe Sabitzer, që kishin raste shënimi.
Sidoqoftë, West Ham arriti të kalojë fillimisht në epërsi me anë të Mohamed Said Benrahma që shënoi me një goditje të saktë nga një pozitë jo e lehtë (54').
Pas kësaj, Man United mori dominimin duke arritur ta barazojë rezultatin fillimisht me anë të Casemiros, por pastaj u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Ishte autogoli i Nayef Aguerd që barazoi rezultatin pas një goditje të bukur të Weghorstit (77').
Ndërsa, kur mendohej se do të kishte vazhdime në skenë doli Garncaho që përfitoi nga një top i kthyer për ta vendosur Man Unitedin në epërsi (90').
Fitoren e skuadrës së Ten Hagut e vulosi vetë mesfushori Fred me një gol të bukur pas një gabimi nga mbrojtja mysafire (90+5').
Kështu, Man United i bashkohet skuadrave angleze në çerekfinale dhe kundërshtarin do ta mësojë pas hedhjes së shortit.
Në anën tjetër, Tottenham është eliminuar në raundin e pestë pasi pësoi humbje në udhëtim te Sheffield United me rezultat 1:0.
Spurs ishin më kërkues gjatë pjesës së parë duke pasur disa raste shënimi përmes Richarlison, me këtë të fundit që goditi edhe traversën por assesi t'i konkretizojë.
Pjesa e dytë ishte shumë më e baraspeshuar me Sheffield Unitedin që befasoi të gjithë me golin e Iliman Ndiaye që realizoi nga afërsia (79').
Kështu, Tottenham tani mbetet të luftojë vetëm për top katërshe ose të bëjë befasinë në Ligën e Kampionëve.