Man. United drejt finales të Kupës Carabao, fiton lehtësisht duelin e parë të gjysmëfinales kundër Nottingham Forest - NACIONALE

Man. United drejt finales të Kupës Carabao, fiton lehtësisht duelin e parë të gjysmëfinales kundër Nottingham Forest

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas humbjes që regjistroi në fundjavë, Manchester United iu rikthye fitores, duke mposhtur 3:0 në udhëtim Nottingham Forestin në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës Carabao.

Skuadra e Ten Hag ka shkëlqyer në mbrëmjen e sotme, duke bërë një hap gjigant drejt sigurimit të finales së Kupës Carabao.

Gjërat menjëherë nisën shumë mirë për “Djajtë e Kuq”. Ishte fillimisht Rashford ai që pas një depërtimi dehës, ku vrapoi mbi 50 metra, arriti që ta finalizojë aksionin në fjalë me një gol të bukur. Gol ky që erdhi në minutën e 6-të.

Pak çaste para se të përfundonte pjesa e parë, transferimi i ri i klubit, Weghorst, shënoi golin e tij të parë me këtë fanellë. Ai u gjend mjaft mirë në zonë të rreptësisë në minutën e 45-të, duke e dërguar topin në rrjetë për 2:0.

Edhe në pjesën e dytë vazhdoi mbizotërimi në lojë nga skuadra mysafire, e cila në asnjë moment nuk e vuri në mëdyshje çështjen e fitueses.

Megjithatë, për t’i dhënë vulë fitores dhe një mbrëmje të kënaqshme, doli në pah Fernandes. Mesfushori portugez la të shtangur portierin kundërshtar, pasi u shërbye mjaft mirë nga Elanga në minutën e 89-të të sfidës.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet më 1 shkurt në “Old Trafford”. Kjo ishte një fitore e madhe, që Ten Hagun mund ta qetësojë para se ta luajë ndeshjen e dytë ndaj po të njëjtës skuadër. Pra, vetëm nëse do të kemi të bëjmë me ndonjë të madhe – sepse Manchester United me një këmbë mund të konstatohet se është në finale të Kupës Carabao.

Përmbledhja e ndeshjes Nottingham Forest - Manchester United:

Lajme të ngjashme