Man City e mposht Chelsean për shërbimet e “Messit të ri”
Manchester City ka kompletuar transferimin e talentit 18-vjeçar Claudio Echeverri nga River Plate.
Pasi shkëlqeu në Kupën e Botës U17, Echeverri ishte ndër lojtarët e rinj që fitoi vëmendjen e top klubeve evropiane, me Chelsean dhe Man Cityn që shiheshin si favoritët kryesor.
Skuadra e Pep Guardiolas ishte më favorite shkaku i lidhjeve të mira të lojtarit me Julian Alvarez dhe tani duket se e kanë mbyllur marrëveshjen.
City do të paguajë 12.5 milionë funte për shërbimet e Echeverrit, që do të mbetet te River Plate deri në janarin e vitit 2025 dhe pastaj do të ketë të drejtë që të udhëtojë për në Angli.
Falë paraqitjeve fantastike, Echeverri shpesh krahasohet me Leo Messin derisa ishte më i miri në Kupën e Botës U17, duke qenë golashënuesi numër një.
Echeverri mbushi 18 vjeç këtë muaj dhe për këtë arsye është i lirë të transferohet në Evropë, por River refuzoi të ndante rrugët me të riun menjëherë, në vend të kësaj insistoi që ai të qëndrojë derisa kontrata e tij fillestare të skadonte dhe City ka rënë dakord.
I riu është në prag të një përparimi në skuadrën e lartë dhe mund të pritet të luajë një rol të rëndësishëm gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Ai ndjek gjurmët e Alvarez, i cili ra dakord të bashkohej me Cityn në janar 2022 dhe bëri lëvizjen verën e ardhshme. 23-vjeçari ka vazhduar të bëhet një lojtar kyç për klubin dhe vendin dhe ka shpresa që Echeverri të arrijë një nivel të ngjashëm.