Malisheva siguron mbijetesën, mposht në barazh lehtësisht Vushtrrinë
Skuadra e Arsim Thaqit ka arritur ta sigurojë mbijetesën në ligë, pasi mposhti Vushtrrinë me rezultat 1:3 në finalen e barazhit që u zhvillua në stadiumin 'Zahir Pajaziti" të Llapit. Ekipi vushtrrias përkundër angazhimit maksimal nuk ia doli që t'i bëjë ballë Malishevës, e cila kishte më shumë cilësi në formacionin e tij.
Për hir të vërtetës, Vushtrria e nisi mirë ndeshjen. Ishte ajo që në minutën e 12-të krijoi rastin e parë për gol me sulmuesin me përvojë Labinot Osmani, por portieri përfaqësues i Kombëtares U21, Flamur Gashi, arriti ta mbante portën e patundur.
Edhe në vazhdim Vushtrria provoi që t'i shkakonte kokëçarje Malishevës, ku ishte sërish Labinot Osmani që goditi nga afërsia, por pa i dhënë fuqinë e duhur topit.
Malisheva u kundërpërgjigj në mënyrë konkrete në minutën e 17-të. Sobowale u gjend mirë me një pasim vertikal. Ai driboi mjaft mirë dhe futi topin në zonë, nga ku Marc Olivier shënoi golin e epërsisë për Malishevën, për ta çuar rezultatin në shifrat 0:1.
Vushtrria u mundua që të këndellët, kur Daut Maxhuni me një gjysmë harkim, i cili mori formën e një goditje, ishte afër që ta befasonte portierin Gashi, por topi përfundoi mbi portë.
Mirëpo, brenda nëntë minutash Malisheva kompletoi dyfishimin e epërsisë. Marc Olivier asistoi për mesfushorin Mërgim Pefqeli, i cili me një goditje të fuqishme shënoi.
Ky gol i dha një goditje të madhe Vushtrrisë. Loja dhe gjithçka tjetër filloi të fliste në të mirë të Malishevës.
Në minutën e 41-të sërish Daut Maxhuni u mundua ta rrezikojë portën e malishevasve, ku u gjend përballë portierit Gashi, por nuk ia doli që të godasë.
Kështu mbaroi edhe pjesa e parë, me rezultatin 0:2.
Në pjesën e dytë ra ritmi i lojës. Malisheva pa ndonjë vështirësi e kontrollonte epërsinë e krijuar në pjesën e parë. Ndërkaq, Vushtrria nuk e kishte energjinë e mjaftueshme që të bënte më shumë për ta rikthyer veten në lojë.
Kjo tempo e lojës zgjati deri në minutën e 77-të, kur Edon Pasoma u ndëshkua me karton të verdhë për shkak të një faulli brenda zonës. Ky vendim që gjyqtari i ndeshjes e mori pasi u konsultua me VAR-in, revoltoi tej mase tifozët vushtrrias, të cilët në mënyrë të paprecedent hoqën dhunshëm rrjetën nga porta, për ta tërhequr në sektorin e tribunave ku ishin pozicionuar sipër.
Kjo situatë bëri që të ndërpritej loja për afro 20 minuta, pasi u urdhërua që të zbrazej e gjithë tribuna e tifogrupit "Forca" që bënë një akt të tillë skandaloz.
Pasi rrjeta u rivendos në portë, lojës iu rikthye normaliteti. Mërgim Pefqeli shkoi për ta ekzekutuar penalltinë. Ai tundi rrjetën, duke zgjedhur të godasë drejt këndit të majtë të portës, për ta mposhtur portierin Petrit Tahiri, duke i çuar shifrat në 0:3.
Në pjesën e mbetur të lojës, Vushtrria arriti ta gjente golin e nderit në minutën e 117-të me Gashin, i cili realizoi me kokë, për ta ngushtuar rezultatin në 1:3.
Pastaj u luajt vetëm formalisht, ku Malisheva pati qarkullimin e topit dhe në fund iu gëzua me plot meritë fitores së pastër prej 1:3, e cila ia mundëson qëndrimin në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm 2022/2023. Vushtrria përkundër organizimit të mirë gjatë muajve të fundit, nuk e kishte cilësinë e duhur për t'i bërë ballë një skuadre mjaft solide siç është treguar Malisheva, ku ndër të tjera në radhët e veta kishte edhe lojtarë të spikatur që kanë mbajtur mbi supe barrën e skuadrave të ndryshme që kanë fituar trofe, si Xhevdet Shabani me Dritën, Mërgim Pefqeli me Prishtinën dhe Llapin e kështu më radhë.
Me këtë ndeshje përfundoi zyrtarisht edhe çdo verdikt në edicionin e sivjem të garave të futbollit kosovar.