Majlinda Kelmendi: Dy medaljet olimpike janë sukses i jashtëzakonshëm
Xhudistja Majlinda Kelmendi është ndarë e kënaqur me suksesin e xhudos në “Paris 2024”, ndërsa ka falënderuar trajnerin Driton Kuka për besimin.
Kelmendi ishte trajnerja kryesore e Laura Fazliut, që u stolis me të bronztën në këto Lojëra Olimpike.
Xhudistja e parë që fitoi medaljen e parë të artë për Kosovën në një intervistë për “RTK” ka komentuar edhe punën që po bën si trajnere.
“Në radhë të parë është kënaqësi dhe nder që Toni më ka besuar. Ka pasur besim tek unë, më ka lejuar me e udhëheq garuesit në Lojërat Olimpike. Është edhe përgjegjësi të madhe, në ditën kur garoi Nora dhe Akili në të njëjtën kohë. Kemi vendosur që unë te Nora e Toni te Akili. Me Laurën mund më them që jam marrë me së shumti, jam munduar t’ia tregoj xhudon që e kam bërë sepse kam qenë shumë agresive në Tatami”.
“Me Lorianën e nisëm mirë, por një gabim i vogël i kushtoi. Fatkeqësisht ka pasur lëndim të gjurit dhe kjo i ka kushtuar. Kur ndërprehet ato përgatitjet kryesore, Lorit i ka kushtuar lëndimi, por prapëseprapë dy medalje është sukses jashtëzakonisht i madh sidomos për Tonit që është kryetrajner, ne jemi asistent bashkë me Fatosin. Më gëzon fakti që Toni i ka pesë medalje olimpike që është tepër vështirë për t’u arritur”.
“Edhe xhudiste edhe trajnere me medalje? Prapë po kthehem te Toni, ndihem më fat dhe e bekuar që ta kem edhe atë ndjesi si trajner në Lojëra Olimpike. Tash vonë kam nisur të punoj si trajnere, Toni më ka besuar plotësisht. Ka qenë shumë emocionuese, kur hyri Laura e kisha ndjenjën se po garoja vetë. Është vështirë për ta kontrolluar tërë emocion, por përvojë e pabesueshme”.
“A po e largon vetën pak Toni duke iu dhënë hapësirë juve? Sigurisht që po, na të gjithë e dimë se Toni që 25 nuk është vetëm trajner, por edhe menaxher e psikolog e gjithçka për ne. Të gjithë e dimë sa është “e lehtë” për t’ia hapur dyert në Kosovë e pastaj jashtë Kosovës. Bashkë kemi hapur dyert që përmes politikës ka qenë problem t’i hapësh, prandaj vjen një ditë që lodhësh. Është trajner që i ka pesë medalje pra nuk e ka atë entuziazmin me shku nëpër udhëtime, dhe nuk ka kaluar shumë kohë me familjen e vetë prandaj edhe ka nevojë për të pasur disa asistentë”.
“Të gjithë jam të vetëdijshëm se kam fituar të artën, por në Olimpiadën tjetër edhe pse isha favorite, rashë në lojën e parë. Këto emocionet e përziera po më ndihmojnë. Toni më raste është më i ashpër, por kur po e qes në vendin e tyre e di si po ndihem. Ka a shumë raste, çuditërisht Toni më dëgjon. Po besoj që në Los Angeles të kemi edhe një emër të ri, e di që në Kosovë presin shumë emra por është herët. Emri i ri? Nuk mund ta përmendi sepse nuk e di saktësisht, pret nga njëri dhe del i pesti”.
E pyetur se çka duhet ndryshuar që xhudoja të jetë në një nivel tjetër, Kelmendi shtoi se duhet t’i kthehen qasjes rigoroze.
“Toni në tre vitet është zbutur pak në raport me ekipin, duhet t’i kthehet asaj qasje sepse është vështirë ta nxjerrësh maksimumin nga sportistët. Tekonologjia e ka bërë të vetën, komoditeti po i bën me harru ata e sidomos na, duhet t’i kthemi qasjes rigoroze, në stërvitje, mënyrë të jetës e gjithçka tjetër. Kjo është ajo që po na duhet neve për të qenë të suksesshme”.