“Ma kujton vetën”: Gattuso thur lëvdata për yllin e Marokut që spikati në Kupën e Botës
Gennaro Gattuso ka dhënë një intervistë për “AS”, ku ka folur edhe për yllin e Marokut,Sofyan Amrabat, për të cilin tha se i ngjan shumë atij kur ka qenë 27-vjeç si futbollist.
Njëri ndër lojtarët që më së shumti ka lënë përshtypje të mira në Kupën e Botës ishte mesfushori i Marokut, Sofyan Amrabat.
Tiparet e tij prej një luftëtari të vërtetë kanë bërë që dikush ta krahasonte edhe me Gattuson. Vetë italiani sheh ngjashmëri të mëdha. Ai vetë e pranoi një gjë të tillë kur u intervistua nga e përditshmja spanjolle “AS”.
“Kishte shumë kohë që nuk shihja një lojtar të ngjashëm me mu, por në Kupën e Botës e kam parë: Amrabat. Më ka emocionuar shumë. Më dukej vetja kur luajta dhe isha 27-vjeç”, tha Gattuso.

Gattuso tani është trajner i Valencias. Ai e pranon se në futbollin e sotme mënyra se si luante ai dikur do të bënte që të vihej në vështirësi.
“Kam vrapuar shumë dhe taktikisht isha shumë i fortë, por sigurisht që në futbollin modern do të kisha mungesë të ndonjë gjëje. Kisha karakter, por për mënyrën se si më pëlqen të luaj nuk mjafton të kesh karakter”, theksoi ai.
Trajneri italian mendon se ka dallim në mes të mënyrës se si luhej dikur me atë të sotmen.
“Tani e shoh futbollin në mënyrë krejtësisht tjetër nga koha kur unë luaja. Nëse shikon ndeshjet e Milanit apo Napolit kur isha atje, nuk bënim presing në sulm. Kjo është hera e parë që e bëj në Valencia”, përfundoi ai.
Gjatë kësaj vere Gattuso ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Valencia. Skuadra e tij momentalisht renditet në pozitën e 10-të me 5 pikë distancë nga zona që dërgon në Ligën e Kampionëve.
