Lukaku i thotë 'PO' ofertës milionëshe nga Arabia Saudite
I 'përjashtuari' nga Chelsea, Romelu Lukaku, raportohet se i ka thënë PO një propozimi milionësh nga Arabia Saudite, në vend që të qëndrojë te Roma, ku është si i huazuar momentalisht.
Lukaku aktualisht është në huazim te skuadra e Serie A Roma nga Chelsea pasi nuk preferohej në Stamford Bridge. Pasi kaloi sezonin e kaluar me Interin, 30-vjeçari tani ka shënuar 11 gola në 18 ndeshje për skuadrën e Jose Mourinhos. Por në vend që të zgjasë qëndrimin e tij në kryeqytetin italian, gazetari Fabio Santini pretendon se belgu ka pranuar një ofertë fitimprurëse për të shkuar te një skuadër e Ligës së Arabisë Saudite sezonin e ardhshëm.

Ai tha në TvPlay: “Lukaku? Një rikthim me Juventusin është i vështirë sepse ai tashmë i ka thënë po një propozimi milionësh nga Arabia Saudite. Unë u them tifozëve të Romës se në fund të sezonit, një gjë është e sigurt: Romelu do të largohet”.

Karriera e Lukakut ka qenë në një rënie që kur nuk u preferua te Chelsea pas transferimit rekord prej 97.5 milionë funte (122 milionë dollarë) në 2021. Sulmuesi nuk ishte aq i frytshëm gjatë huazimit të tij në Inter sezonin e kaluar, ku zemëroi gjigantët italian pasi refuzoi një shans për të nënshkruar sërish me ta këtë verë, por ai po rigjen formën te Roma. Nëse ai do të transferohej në Arabinë Saudite, kjo do të thotë që ai po bën një hap prapa me karrierën e tij, duke pasur parasysh se cilësia e ligës është relativisht e dobët në krahasim me ku luan momentalisht.

Sulmuesi belg ka të ngjarë të luajë për Romën kundër Sherifit në Ligë të Evropës të enjten. Megjithatë, ai është i suspenduar për ndeshjen e radhës të Romës në Serie A kundër Bolognës të dielën për shkak të një sfide horror kundër Fiorentinës që rezultoi me një karton të kuq direkt.