Luiza Gega e fiton Maratonën e Prishtinës dhe vendos rekord të ri kombëtar - NACIONALE

Luiza Gega e fiton Maratonën e Prishtinës dhe vendos rekord të ri kombëtar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Olimpistja Luiza Gega e ka fituar Maratonën e Prishtinës të dielën, duke vendosur rekord të ri kombëtar.

Për një periudhë kohore prej 2:35:07 orë, Gega i kreu në vrap plot 42 kilometra.

“Është kënaqësi shumë e madhe. Nuk jam shumë për maratonë, por mendoj se ka ardhur koha të testohem në garat e rrugës. Ky është një fillim i ri për mua. Sot vendosa rekord shtetëror për Shqipërinë. E shijova shumë itinerarin e garës. Organizimi ishte shumë i mirë. Kishte shenja treguese, polici”.

“Prisja konkurrencë më të madhe. Vajzat nga Kenia janë shumë të mira. Kam vrapuar me një vajzë që ishte në 21 kilometra, kur ajo u kthye më erdhi keq të ulja ritmin dhe vazhdova. Sot më shumë erdha për ta përshkuar distancën. Në kilometrin e 35-të pata pak vështirësi, por që e kalova. Kjo është maratona ime e dytë në karrierë, por jo edhe e fundit. Do të jem në Tiranë muajin tjetër”, tha ndër të tjera Gega.

Kujtojmë, Gega garoi edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024” në disiplinën 3000 metra me pengesa, sidoqoftë nuk ia doli të sigurojë një vend në finale.

Përndryshe, sa i përket meshkujve Maratonën në Prishtinë e fitoi Keniani Kimaiyo.

Lajme të ngjashme