Luis Suarez zbulon nëse do t’i bashkohet Messit në Inter Miami
Luis Suarez ka thënë se e ka të pamundur t’i bashkohet mikut dhe ish-shokut te skuadrës në Barcelonë, Lionel Messi, në Inter Miami.
Messi njoftoi të mërkurën se do t’i bashkohet klubit nga Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara, pas përfundimit të kontratës me Paris Saint-Germain në fund të këtij muaji.
Thashethemet nuk vonuan fare se Messit në Miami do t’i bashkohej një fytyrë e njohur.
Suarez, i cili iu bashkua gjigantit uruguaian Nacional dhe pastaj klubit brazilian Gremio pasi u largua nga Evropa, besohej se mund t’i bashkohej Messit në Miami.
Megjithatë, 36-vjeçari, i cili i kaloi gjashtë sezone përkrah Messit në Barcelonë, tha se marrëveshja që ka me Gremion nënkupton se ai nuk mund të shkojë në Miami.
“Kjo është gënjeshtër. Është e pamundur”, tha Suarez kur u pyet nëse lajmi se do t’i bashkohej Messit në Miami ishte i vërtetë.
“Jam i lumtur në Gremio dhe kam kontratë deri më 2024”, shtoi ai.

Suarezi nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me Gremion në dhjetor 2022, duke i shënuar 11 gola dhe tetë asiste në 24 paraqitje.
Megjithatë, një ish-bashkëlojtar tjetër mund t’i bashkohet Messit në klubin amerikan.
Raportohet se Sergio Busquets ka nisur bisedimet me Miamin tashmë.
Mesfushori spanjoll, i cili njoftoi largimin nga Barcelona muajin e kaluar, është në bisedime edhe me klubet saudite Al Nassr dhe Al Hilal.
