Lorik Cana: Bota serbe e sportit është kundër faktorit shqiptar, Armand Duka s’i njeh mirë ata - NACIONALE

Lorik Cana: Bota serbe e sportit është kundër faktorit shqiptar, Armand Duka s’i njeh mirë ata

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish kapiteni i Shqipërisë Lorik Cana ka thyer heshtjen duke pranuar se ende nuk është pro organizimit mes FSHF-së dhe Federatës Serbe për organizimin e Kampionatit Evropian U21 “Euro 2027”.

Projekti është pranë realizimit, me vendimin përfundimtar nga UEFA që do të jepet në muajt e ardhshëm.

Cana në “Sports Show” në Klan Kosova ka komentuar këtë situatë, duke thënë se serbët vazhdojnë të jenë kundër faktorit shqiptar.

“Sendet nuk i shohim njësoi, virtytet nuk i kemi të njëjta. Në këso përfaqësimi të sportit duhet të jenë të barabarta dhe ne aktualisht jemi larg. Nuk jemi hale në një linjë me ta dhe për ne me kaq mbyllet muhabeti. Nëse dikur ndryshon, atëherë do të jem i pari, por për momentin jemi shumë larg”.

“Unë nuk kam asnjë lloj besimi që mund të bëhet me serbët, përfshirë Federatën e Serbisë. Bota serbe e sportit vazhdon të jetë komplet kundër faktorit shqiptar, kjo është pengesa ime sot për sot për këtë organizim, më vonë, pse jo – me gjithë qejf”.

Ndër të tjera, ai shtoi se Armand Duka nuk i njeh mirë serbët, por thjesht ka dëshirë ta rrit imazhin e Shqipërisë.

“Armando (Duka) ka një meritë për ngritjen e Federatës Shqiptare, është nënkryetar i UEFA-s dhe kjo është arritje për faktorin shqiptar. Është ndryshe si e sheh ai në sport sepse e bën për të mirën e imazhit. Nuk besoj që Armando i njeh mirë ata (serbët), historinë e tyre, historinë siç e kemi përjashtuar na në ish-Jugosllavi”.

“Për Armandon ata kanë respekt të jashtëzakonshëm. Futbollistët serbë kanë respekt për ne, para 10 viteve edhe na kanë mbrojt, por në përgjithësi qëllimet dhe ndjenjat nuk janë të sinqerta dhe kjo përfaqësohet shumë në çfarë do eventi që bëjnë”.

Lajme të ngjashme