Loriana Kuka e përfundon rrugëtimin në Lojërat Olimpike, humb në 1/8 e finales ndaj Lytvynenkos
Loriana Kuka e ka përfunduar rrugëtimin në Lojërat Olimpike Paris 2024, pasi e ka humbur luftën në 1/8 e finales nga garuesja prej Ukrainës, Yelyzaveta Lyvynenko.
27-vjeçarja kosovare u përball me numrin 10 të botës, me të cilën në katër përballjet kokë më kokë më herët, i kishte humbur të gjitha, kësisoj në këtë luftë nuk hyri si favorite.
Lytvynenko ndonëse 20-vjeçare, tregoi pjekuri në tatami, ku shfrytëzoi një gabim të Lorianës, për ta rrëmbyer një pikë me Waza-ari, pikë kjo që në fund të kohës së rregullt ai solli fitoren asaj.
Kështu, Loriana Kuka e mbyll rrugëtimin e saj në Lojërat OIimpike me vetëm një fitore të arritur, pasi që nuk do ta ketë mundësinë e repesazhit.
Në këtë fazë, Kuka, kishte arritur edhe në Lojërat Olimpike të Tokios, por atë kohë ajo raundin e parë e kishte kaluar pa luftë, duke humbur pastaj në 1/8 e finales, për dallim nga sot, ku e fitoi përballjen e parë me Ippon.
Kosova nga Parisi 2024 kthehet me dy medalje nga Xhudo, teksa në garë mbesin edhe dy garues në sporte të tjera, pa shpresa reale për medalje.
Gresa Bakraqi në atletikë në disiplinën 800 metra dhe Hana Beiqi në not në stil të lirë 50 metra, do të garojnë në dy ditët e ardhshme.