Llapi zbulon dëmin e stadiumit nga dhuna e tifozëve, aludon se policia s’e kreu detyrën
Duket se Llapi është përpjekur ta fajësojë policinë për dështimin në parandalimin e dhunës mes tifozëve llapjanë dhe atyre të Ballkanit gjatë një ndeshjeje të Superligës të dielën në Podujevë.
Llapi – që e fitoi ndeshjen me përmbysje 3:2 – zbuloi po ashtu se dëmi i shkaktuar në stadiumin Zahir Pajaziti nga dhuna e tifozëve vlerësohet të jetë rreth 10 mijë euro.
Policia njoftoi se dy pjesëtarë të saj u lënduan gjatë incidentit, ndërsa u arrestuan 21 tifozë të përfshirë në dhunë.
“Dëmi i shkaktuar sipas Policëve dhe ekspertëve të dëmit kalon vlerën e 10,000 Eurove”, tha Llapi në një reagim në rrjetet sociale.
Tifozët e Ballkanit, të vendosur në tribunën mbrapa portës, i nxorën nga vendi dhunshëm ulëset dhe i thotë në drejtim të tifozëve vendas dhe jashtë stadiumit
“Si organizator të ndeshjes ne morëm gjitha masat e nevojshme dhe ua siguruam tifozëve mysafirë një tribunë të vetme ku as edhe një tifoz i Llapit nuk ishte në atë tribunë”, thuhet tutje në njoftim.
Llapi u duk sikur e fajësoi policinë për mungesë reagimi, duke thënë se në stadium kishte oficerë të mjaftueshëm të policisë dhe roje sigurie.
“Po ashtu në secilën pjesë të tribunave dhe stadiumit kishte sigurim dhe policë të mjaftueshëm për ta mbuluar sigurinë e ndeshjes por pas përfundimit të ndeshjes, tifozët mysafir, të revoltuar me humbjen e ekipit të tyre filluan t’i dëmtojnë ulëset e tribunës në të cilën ishin të vendosur dhe kjo gjë është e pa pranueshme në sport dhe duhet të dënohet rrept pa marr parasysh kush do që të jetë.”
Fituesi aktual i Kupës së Kosovës shpreson se personat e përfshirë në dhunë do të ndëshkohen, ndërkohë që i bëri thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës t’i ndihmojë financiarisht në rregullimin e dëmeve të shkaktuara.
“Presim që personat që u identifikuan në incident të marrin dënimin e merituar dhe sa më të lartë që të vedijësohemi një herë e përgjithmonë që mbështetja e skuadrës së zemrës është e pranueshme por pa shkaktuar dëme materiale që prishin imazhin e futbollit.”
Llapi shtoi: “Shpresojmë që FFK të na mbështes dhe ne të intervenojmë menjëherë me rregullimin e ulëseve sepse për ne si klub është e pamundshme ta shohim ashtu Arenën ‘Zahir Pajaziti’”.