Llapi triumfon ndaj Dukagjinit, Malisheva ia tregon 'dhëmbët' Fushë Kosovës - NACIONALE

Llapi triumfon ndaj Dukagjinit, Malisheva ia tregon 'dhëmbët' Fushë Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 20-të të Superligës së Kosovës, aty ku Llapi fitoi 2:1 ndaj Dukagjinit, ndërsa Malisheva e shkatërroi Fushë Kosovën duke fituar 4:1.

Skuadra e Tahir Batatinës e ka filluar shumë mirë gjysmën e dytë të sezonit, duke fituar të dy ndeshjet deri më tani, kështu për t'u afruar në katër pikë me liderin, Ballkani. Në anën tjetër Malisheva pasi humbi në ndeshjen e parë, kësaj radhe e pati shumë të lehtë ndaj Pampurave.

Llapi - Dukagjini

Për skuadrën e Llapit gjithçka filloi mirë në këtë takim, pasi vetëm pas gjashtë minutave Dukagjini shkaktoi penallti dhe mbeti me një lojtar më pak në fushë.

Ishte Besir Iseni që luajti me dorë në zonën e penalltisë, për t'u ndëshkuar me karton të kuq direkt. Nga pika e bardhë Muhamet Hyseni u tregua i saktë dhe e çoi Llapin në epërsi 1:0.

Vendasit duke pasur epërsinë numerike në fushë, treguan lojë më të mirë në vazhdim. Ata shënuan edhe një gol në fund të pjesës së parë, por goli pas një rishikimi në VAR u anulua dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 1:0.

13 minuta pasi filloi pjesa e dytë, Llapi gjeti golin edhe një herë. Ishte përsëri Hyseni që shënoi, tani për 2:0.

Muhamet Hyseni po kalon në formë jetësore, duke qenë golashënuesi më i mirë i elitës kosovare.

Dukagjini arriti të shënonte një gol krejt në fund, në minutat shtesë, kur Victor Hugo u tregua i saktë nga penalltia për 2:1, por kaq ishte nga ata.

Llapi me fitoren 2:1 i grumbullon 40 pikë, katër më pak se Ballkani i vendit të parë.

Malisheva - Fushë Kosova

Fushë Kosova për asnjë moment nuk ishte skuadër e barabartë me Malishevën, me këta të fundit që me shumë lehtësi fituan këtë përballje.

Vetëm pesë minuta kaluan, kur ish-sulmuesi i Fushë Kosovës Rilind Haziraj shënoi për Malishevën, për 1:0.

Në minutën e 26-të Altin Aliu dyfishoi rezultatin, ashtu siç përfundoi pjesa e parë e takimit.

Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kapiteni i Fushë Kosovës, Dominik Ivkic shënoi autogol, për ta çuar rezultatin në 3:0.

Për 4:0 shënoi Laurent Xhylani në minutën e 70-të, ndërsa Fushë Kosova krejt çfarë arriti të bënte në këtë takim ishte goli për 4:1 i shënuar në minutën e fundit nga Dorent Hajdari.

Malisheva me këtë fitore rrëmben pozitën e katërt, me 32 pikë nga 20 ndeshje, ndërsa Fushë Kosova gjendet në vendin e parafundit, pa shumë shpresa për mbijetesë.

Lajme të ngjashme