Llapi ‘shijon’ fitoren e parë në Superligë, Ballkani triumfon ndaj Feronikelit
Kampioni Ballkani ka regjistruar fitoren e dytë duke mposhtur Feronikelin 74' (2:0), derisa Llapi triumfoi ndaj Dukagjinit (3:0), në kuadër të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës.
“Xhebrailat” vazhduan me lojë të shkëlqyer, duke mposhtur me rezultat 2:0 ndaj Feronikelit 74'.
Ballkani dominoi nga minuta e parë duke treguar lojë më të mirë dhe me plot meritë arkëtuan pikët e plota.
Feronikeli në fakt e nisi më mirë duke pasur dy raste përmes Shillovës, por që Koliçi nuk u befasua.
Ishte Albin Berisha që në përfundimin e pjesës së parë realizoi nga afërsia pas një asistimi të Gentrit Halilit për të kaluar Ballkanin në epërsi.
Kurse, ishte Robert Rrahmani që realizoi një autogol në përpjekje për ta larguar topin që vulosi fitoren e vendasve (67’).
Kështu, Ballkani renditet në pozitën e dytë në tabelë me gjashtë pikë, derisa Feronikeli qëndron në pozitën e parafundit pa pikë.
Në anën tjetër, Llapi ka shijuar fitoren e parë në Superligën e Kosovës duke mposhtur Dukagjinin me rezultat bindës 3:0.
Derbi në “Zahir Pajaziti” doli të jetë tejet i baraspeshuar në pjesën e parë, me Llapin që u treguan më të mirë.
Në fakt, vendasit shënuan dy herë me anë të Muhamet Hysenit mirëpo që të dy golat u anuluan për pozitë jashtë loje.
Ishte Ilir Blakçori që shënoi një gol të bukur me kokë për t’i dhënë epërsinë Llapit pas një asistimi të saktë të Leotrim Bekteshit (69’).
Ndërsa, nëntë minuta më vonë epërsinë e dyfishoi Hyseni me një gol nga afërsia (78’).
Fitoren e Llapit e vulosi Trimor Selimi dy minuta pa përfunduar koha e rregullt (88').
Kësisoj, Llapi ngrihet në pozitën e pestë me tre pikë derisa Dukagjini qëndron në vendin e tetë pa pikë.