Llapi nënkampion, Gjilani mbijeton e Feronikeli në play-off - NACIONALE

Llapi nënkampion, Gjilani mbijeton e Feronikeli në play-off

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sezoni 2023/24 në Superligën e Kosovës ka përfunduar sot. Llapi me fitore ndaj Lirisë e mori vendin e dytë dhe kualifikimin në Ligë të Evropës, në anën tjetër Gjilani me fitore të madhe ia doli të mbijetojë në elitën e futbollit kosovar, ndërsa Feronikeli do të luajë në play-off.

Natyrisht vëmendja kryesore sot në xhiron e fundit ishte te përballjet Dukagjini - Gjilani dhe Fushë Kosova - Feronikeli, pasi dy skuadra luftonin për pozitën e shtatë, pra për mbijetesë.

Gjilani arriti që me përmbysje të rezultatit ta fitojë takimin 4:2 në udhëtim te Dukagjini dhe si rrjedhojë përfunduan në vendin e shtatë, për të mbijetuar në Superligë.

Feronikeli në anën tjetër ndonëse bindi me fitore 3:0 ndaj Fushë Kosovës, për shkak të fitores së Gjilanit, pozicionohen në vendin e tetë, pozitë kjo që luan në play-off me fituesin e play-offit nga Liga e Parë, për një vend në Superligë.

Llapi fitoi bindshëm ndaj Lirisë me rezultat 5:1 dhe janë nënkampion të Kosovës, ku do të luajnë në kualifikime të Ligës së Evropës.

Drita u ndal me barazim 1:1 nga Malisheva, me të dy skuadrat që do të luajnë në kualifikime për Ligë të Konferencës.

E takimi me më pak rëndësi ishte mes Ballkanit e Prishtinës, të cilat luajtën edhe në mesjavë në finale të Kupës.

Këto dy skuadra barazuan 1:1, me Ballkanin që fitoi titullin e tretë kampion në ndeshjen e kaluar, ndërsa Prishtina më nuk kishte gjasa për dalje në gara evropiane.

Lajme të ngjashme