Llapi në "frymën e fundit" mposht Dritën, fiton Malisheva - NACIONALE

Llapi në "frymën e fundit" mposht Dritën, fiton Malisheva

1 vit më parë

nga NACIONALE

Llapi ka marrë fitore të vonshme ndaj Dritës, derisa Malisheva i arkëtoi pikët e plota në udhëtim te Dukagjini.

Derbi më interesant ishte në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi mori tre pikë me rezultat minimal 1:0.

Heroi i Llapit doli të jetë Blendi Baftiu, që i shënoi ish klubit në minutën e fundit të kohës shtesë (90+3’).

Ndeshja ishte shumë interesante nga fillimi, me dy skuadrat që kishin raste shënimi, por vetëm Llapi ia doli ta tund rrjetën në fund.

Me këtë fitore, Llapi renditet në pozitën e pestë me shtatë pikë derisa Drita qëndron në vendin e tetë me tre sosh.

Në anë tjetër, Malisheva është duke vazhduar me rezultate pozitive – duke mposhtur Dukagjinin në udhëtim me rezultat 1:3.

Vesel Limaj me një eurogol nga gjuajtja e lirë e kaloi Malishevën në epërsi (7’).

Dukagjini arriti të këndellet përmes mesfushorit Mërgim Pefqeli, i cili shënoi pas një aksioni të bukur (21’).

Sidoqoftë, Malisheva ishte më e mirë në pjesën e dytë. Arbër Pira riktheu epërsinë (48’), ndërsa më vonë asistoi për Laurent Xhylanin, i cili e vulosi fitoren (78’).

Malisheva tani zë pozitën e dytë me 10 pikë, aq sa ka lideri Ballkani derisa Llapi zë vendin e pestë me shtatë sosh.

Lajme të ngjashme