Llapi me përmbysje të madhe ndaj Malishevës merr sërish kryesimin e tabelës, fitojnë edhe Ballkani e Gjilani - NACIONALE

Llapi me përmbysje të madhe ndaj Malishevës merr sërish kryesimin e tabelës, fitojnë edhe Ballkani e Gjilani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të javës së shtatë të Superligës së Kosovës, aty ku kampioni në fuqi Ballkani ka fituar 2:0 në udhëtim te Fushë Kosova. Në anën tjetër Llapi ka arritur ta përmbysë rezultatin duke fituar ndaj Malishevës me rezultat 3:2, teksa edhe Gjilani mori pikët e plota me fitoren ndaj Lirisë 1:0.

Fushë Kosova – Ballkani

Ndeshja e zhvilluar në Lipjan në Stadiumin Sami Kelmendi, përfundoi me fitore të pastër të ‘Xhebrailave’.

Skuadra e inkuadruar në Superligë këtë sezon nuk ishte një kundërshtar i denjë i Kampionit, në pothuajse asnjë moment të ndeshjes.

Dy golat e takimit u shënuan në pjesën e parë.

Golin për 1:0 e shënoi Bleart Tolaj në minutën e 27-të, ndërsa atë të rezultati përfundimtar kapiteni Edvin Kuc në minutën e 42-të, me një gol të bukur nga distanca për 2:0.

Ballkani tani është në vendin e dytë të Superligës së Kosovës me 16 pikë, aq sa ka edhe Llapi i vendit të parë, ndërsa Fushë Kosova në fundin e tabelës me vetëm një pikë.

Malisheva – Llapi

Në duelin e skuadrave të pjesës së lartë të tabelës, me dy skuadrat që kanë filluar shumë mirë në javët e para, fituese doli Llapi në minutat e fundit të takimit.

Ardit Oshafi shënoi për vendasit në minutën e 21-të për rezultatin 1:0, me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Shtatë minuta pasi filloi pjesa e dytë, Etnik Bruti shënoi për ta dyfishuar rezultatin në 2:0.

Rikthimin e Llapit në lojë e filloi lojtari më në formë i kësaj skuadre. Muhamet Hyseni shënoi për të ngushtuar rezultatin në 2:1.

Skuadra e Tahir Batatinës e barazoi rezultatin në minutën e 90-të me golin e Ahmed Januzit, ndërsa për përmbysjen e madhe krejtësisht në fund në minutat shtesë nga penalltia shënoi Hyseni, për t’ia fituar Llapit tre pikët e radhës.

Llapi me këtë fitore merr pozitën e parë në tabelë, me pikë të barabarta me Ballkanin e vendit të dytë, por llapjanët kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Gjilani – Liria

Gjilani ka arritur të arkëtojë pikët e plota si mikpritës i Lirisë së Prizrenit, me vetëm një gol të shënuar.

Goli i vetëm u shënua në minutën e 55-të nga penalltia, të cilën në gol e konvertoi Edi Basha.

Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat, me Gjilanin që shkon në kuotën e shtatë pikëve pas gjashtë ndeshjeve, ndërsa Liria ka një pikë më pak me një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Lajme të ngjashme