Llapi i Tahir Batatinës, skuadra që dëshpëroi në vitin 2022 - NACIONALE

Llapi i Tahir Batatinës, skuadra që dëshpëroi në vitin 2022

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

FC Llapi - fituesi Kupës së Kosovës për vitin e dytë radhazi - ishte skuadra që dëshpëroi më së shumti në vitin 2022.

Pavarësisht që fitoi një trofe dhe siguroi avancimin në Evropë, ekipi që drejtohet nga Tahir Batatina dështoi plotësisht në përmbushjen e pritshmërive gjatë 12 muajve të vitit 2022.

Si gjithnjë, kryesuesit përfshirë vetë trajnerin e thanë haptas se do të luftojnë për titull, por kjo garë nuk iu zgjati larg.

Në fakt, Llapi edicionin 2021/22 e përfundoi vetëm si pozitë e katërt me 54 pikë të tubuara, duke siguruar në fund një fitore që u rezervoi këtë pozitë pasi Prishtina mbaroi e pesta me 51 sosh, kjo e fundit nuk do të luante në garat evropiane edhe sikur të kualifikohej shkaku që nuk u licencua.

Kështu duke u renditur se pozitë e katërt, Llapi kishte 22 pikë më pak se lideri Ballkani. Vetëm disa xhiro pa përfunduar sezoni, Batatina thoshte haptas se synojnë ta mbyllin si nënkampion.

I vetmi rekord pozitiv për këtë sezon ndoshta ishte fitorja më e madhe si mysafir ndaj Ulpianës (0:6), si dhe kanë rekordin për ndeshjen me më së shumti gola të shënuar, pra tetë (3:5 kundër Drenicës).

E fjalia e famshme “Llapi evropian”, fatkeqësisht ende s’po rezulton të jetë e vërtetë. Deri me tani ndoshta mund të quhen vetëm “Llapi Ballkanik”.

Pasi u eliminuan edicionin e kaluar nga FC Shkupi, as këtë vit s’iu eci mbarë duke rënë qysh në raundin e parë kualifikues në kuadër të Ligës së Konferencës, në përballje me skuadrën e Malit të Zi, Buducnost Podgorica me rezultat të përgjithshëm 2:4.

Edhe matematikisht Llapi dëshpëroi, pasi nëse numërohen të gjitha pikët e fituara brenda vitit 2022, ata renditen në pozitën e tetë duke pasur pikë vetëm më shumë se Trepça ‘89, Ferizaj (këto dyja u inkuadruan këtë vit), Ulpiana dhe Feronikeli.

Llapi këtë vit ka mbledhur vetëm 45 pikë në Superligën e Kosovës, që janë mjaftë pak nëse shihen klubet e tjera si Ballkani (81 pikë) ose Drita (68 sosh).

Fillimi i sezonit 2022/23 për Llapin ishte ndër më dëshpëruesit për skuadrën nga Podujeva, pasi vetëm pas 18 ndeshjeve të para, ata kanë 18 pikë më pak se liderët aktualë Drita dhe Ballkani.

Llapi do ta nisë pjesën e dytë të sezonit me vetëm një pikë larg rënies nga Superliga dhe siç qëndrojnë gjërat, skuadra e Batatinës duhet të luftojë për mbijetesë në vend se për ta përmbushur zotimin.

Llapjanët i fituan vetëm 5 ndeshje në pjesën e parë të sezonit 2022/23, duke i humbur 8 dhe duke barazuar në 5 të tjera.

Vetëm Malisheva dhe Ferizaj – të dyja në zonën e rënies nga liga – kanë pësuar më shumë disfata se Llapi në këtë periudhë.

Lajme të ngjashme