Llapi e njofton me humbjen e parë në Superligë Suharekën
Suhareka që ishte skuadra e vetme pa humbje në Superligën e Kosovës pas gjashtë xhirove të para, sot u mposht 3:0 nga Llapi i Tahir Batatinës në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë.
Skuadra suharekase u inkuadrua këtë sezon në Superligë dhe e filloi shumë mirë, madje duke kryesuar deri më sot, pasi shënoi katër fitore dhe një barazim në pesë xhirot e para.
Por, Llapi i Tahir Batatinës e njoftoi me humbje skuadrën e trajnerit Duro, madje duke e mposhtur me rezultat të thellë 3:0.
Për llapjanët gjithçka nisi mirë kur në minutën e 25-të u akordua penallti, me VAR-in që e konfirmoi atë.
Blendi Baftiu shënoi për 1:0 nga pika e bardhë në tentimin e dytë, pasi paraprakisht kishte dështuar të shënonte, por që portieri mysafir kishte lëvizur më herët nga vija.
Elvir Gashijani pati shansin ta dyfishonte epërsinë në minutat e fundit të pjesës së parë, por që topi goditi transverzalen dhe me rezultatin 1:0 skuadrat shkuan në pushim.
Pesë minuta pasi filluan 45 minutat e pjesës së dytë, sulmuesi me shumë përvojë, Ahmed Januzi shënoi për 2:0, me Gashijanin që asistoi.
Llapi deri në fund shënoi edhe një herë. Ishte Arbnor Ramadani që në minutat shtesë e çoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 3:0.
Me këtë fitore, Llapi tani është në vendin e parë me 13 pikë nga shtatë ndeshje, aq sa kanë edhe Malisheva e Suhareka, por që të dyja kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Gjatë fundjavës do të zhvillohen ndeshjet e tjera të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës.
Të shtunën përballen Ballkani - Ferizaj ddhe Dukagjini - Drita, ndërsa të dielën Gjilani - Prishtina dhe Feronikeli 74 - Malisheva.