Llapi e fillon sot rrugëtimin drejt Ligës së Evropës, Malisheva debuton në kualifikimet për Ligë të Konferencës
Dy skuadra kosovare sot do ta nisin rrugëtimin drejt kualifikimit në garat evropiani. Llapi do të përballet në Poloni me Wisla Krakow në kuadër të kualifikimeve për Ligë të Evropës, ndërsa Malisheva do të debutojë në kualifikuese, ku përballet me Budocnostin për Ligë të Konferencës.
Llapi e mbylli sezonin që lamë pas në Superligën e Kosovës si nënkampion dhe ndonëse ajo pozitë siguron vetëm kualifikimet për Ligë të Konferencës, ata do të luajnë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, vetëm fal Ballkanit.
Dihet që fituesi i Kupës së Kosovës e zë vendin që dërgon në kualifikimet për Ligë të Evropës dhe si rrjedhojë Ballkani që veçse ishte shpallur kampion në ligë, e fitoi edhe Kupën, duke ia mundësuar kështu Llapit që si nënkampion të luajë në këtë fazë.
Aty do të përballen me skuadrën polake Wisla Krakow, që ndonëse emër i madh në futbollin e Polonisë, ata fituan të drejtën të jenë këtu vetëm pasi fituan Kupën, pasi që gara bëjnë në ligën e dytë të vendit.
Për Llapin ishte short shumë me fat, pasi skuadrat tjera ishin më kualitative në krahasim me një skuadër që bënë gara në ligën e dytë të vendit të saj dhe ka një mundësi të artë të kalojë në rrethin e dytë kualifikues.
Hajrin Ballkanit nuk ia pa vetëm Llapi, por edhe Malisheva. Këta të fundit përfunduan në vendin e katërt, por pasi Ballkani e mposhti Prishtinën në Kupë të Kosovës, ata siguruan një vend në kualifikimet për Ligë të Konferencës.
Por, për dallim nga Llapi, Malisheva nuk pati fat të mirë në short, pasi do të takohet me Budocnostin e Malit të Zi, skuadër kjo që para dy vitesh kishte eliminuar Llapin.
Malisheva do ta zhvillojë ndeshjen e saj në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë, ku e pret Budocnostin me fillim nga ora 17:00.
Në anën tjetër, Wisla Krakow - Llapi zhvillohet më vonë, me fillim nga ora 20:30.
Në kualifikimet për Ligë të Konferencës, luajnë edhe disa skuadra shqiptare. Shkëndija e Tetovës përballet me skuadrën armene Noah. Tirana përballet me Torpedon, Partizani me Marsaxlokk, ndërsa natën e mbyll Vllaznia me përballjen ndaj Valurit.