Llapi bojkoton ceremoninë 'Laureatët e Vitit 2024', thonë se po dëmtohen nga FFK
Me barazimin sot ndaj Dukagjinit, Llapi është pa fitore në 11 ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës, duke u zhytur në një krizë të thellë.
Skuadra llapjane tani ka reaguar në rrjetet sociale, duke aluduar se po i bëhet e padrejtë nga FFK, duke thënë se do të bojkotojnë çdo gjë të organizuar nga ky institucion, edhe ceremoninë 'Laureatët e Vitit 2024'.
Reagimi i KF Llapit në Facebook
Sqarim për mediat dhe opinionin e gjerë
Për shkak të zhvillimeve dhe tendencave që dëmtojnë KF Llapin, kryesia e klubit ka vendosur të bojkotojë ceremoninë “Laureatët e Vitit 2024”.
Ne besojmë se momentalisht nuk ekzistojnë kushtet e duhura për të qenë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, për shkak të situatës aktuale në futbollin kosovar.
Bojkoti ynë ndaj FFK-së do të vazhdojë deri në momentin kur ky institucion të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e situatës dhe funksionimit të futbollit në vendin tonë.
Me respekt,
Kryesia e KF Llapi