Liverpooli fiton më përmbysje ndaj Wolverhampton, rrëmben përkohësisht vendin e parë në Premierligë
Liverpooli me përmbysje të rezultatit ka arritur të marrë tre pikë të plota në udhëtimin e vështirë te Wolverhampton. Të kuqtë shënuan fitore 3:1 dhe kështu rrëmbejnë përkohësisht vendin e parë në Premierligë, me Manchester Cityn që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, që është skuadra e vetme pa humbje ende në elitën angleze.
Skuadra e Jurgen Klopp nuk pati një pjesë të parë të mirë. Pasi jo vetëm që pësuan gol shumë shpejt, por dështuan të konkretizonin disa raste të mira shënimi.
Zhvillohej vetëm minuta e shtatë kur Hwang Hee-chan gjeti golin për vendasit pasi u asistua nga Pedro Neto, për rezultatin 1:0. Deri në fund të pjesës së parë nuk pati ndryshim të rezultatit.
Pjesa e dytë nisi shumë më mirë për mysafirët, që po krijonin vazhdimisht rrezik për portën kundërshtare dhe kjo lojë e mirë u shpërblye kur Cody Gapko gjeti golin e barazimit 1:1 në minutën e 55-të, kur u asistua nga Mohamed Salah.
Për përmbysjen e rezultatit u kujdes Andy Robertson, që në minutën e 85-të shënoi për 2:1, ku Salah bëri një asistim shumë të bukur.
Por Liverpooli nuk u ndal me kaq, pasi shënuan edhe golin e sigurisë në minutat shtesë. Salah bëri het-trik me asiste, ndërsa shënues ishte Harvey Elloitt, për 3:1 dhe rezultatin përfundimtar.
Liverpooli do të jetë në pozitën e parë pas kësaj fitore, të paktën derisa Manchester City ta zhvillojë ndeshjen e radhës.