Liverpool triumfon me rikthim ndaj Lutonit - NACIONALE

Liverpool triumfon me rikthim ndaj Lutonit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool ka shënuar fitore me përmbysje ndaj Lutonit, për ta ruajtur pozitën e liderit në Premierligë në kuadër të xhiros së 26-të.

“Reds” edhe pse ishin në disavantazh prej 0:1, arritën ta përmbysin në 4:1 për t’i shijuar pikët e plota.

Chiedozie Ogbene kaloi Lutonin në epërsi pas vetëm 12 minutave lojë, duke përfituar nga një top i kthyer dhe e dërgoi brenda rrjetës me një goditje precize me kokë.

Pas kësaj, Liverpool kishte dy raste të arta përmes Luis Diaz, mirëpo kolumbiani dështoi në të dyja.

Në pjesën e dytë, skuadra e Kloppit ishte më finalizuese. Fillimisht mbrojtësi Virgil van Dijk realizoi me kokë pas harkimit të Mac Allisterit për ta barazuar rezultatin (56’).

Ndërsa, ishte Cody Gakpo që e përmbysi epërsinë pas një tjetër harkimi të Mac Allisterit (58’).

Liverpool vazhdoi të ishte më dominuese, me Diazin që më në fund e finalizoi një gjuajtje pas një pasimi nga afërsia (71’).

Kurse, fitoren e vulosi mesfushori Harvey Elliott duke u gjendur në vendin e duhur (90’).

Liverpool mbetet lider i vetëm në Premierligë me 60 pikë derisa Luton qëndron në pozitën e 18-të me 20 sosh.

Lajme të ngjashme