Liverpool tenton transferimin e yllit të Fluminenses
Liverpool ka kthyer vëmendjen te ylli i Fluminenses Andre, pasi nuk po arrijnë marrëveshje me Southamptonin për Romeo Lavia.
“Reds” po vazhdojnë ta rindërtojnë mesfushën pasi disa yje janë larguar, përfshirë Fabinhon dhe Jordan Hendersonin.
Lavia ishte prioritet që disa javë, por Southampton refuzoi dy oferta të klubit anglez.
Kësisoj, “Sky Sports” raporton se Liverpool ka nisur kontaktet me klubin brazilian për transferimin e mesfushorit 22-vjeçar.
Deri me tani nuk është dërguar asnjë ofertë zyrtare, mirëpo bisedimet kanë nisur derisa braziliani është i hapur për kalimin te “Anfield”.
Liverpool është duke shpresuar që ta kompletojë marrëveshjen në javët në vijim, për afro 21 milionë funte, që është më pak se gjysma e asaj që duhet investuar për blerjen e Lavios.
Andre tani është një emër mjaftë i njohur në ligën braziliane pasi ka bërë mbi 100 paraqitje për Fluminensen derisa edhe debutoi te kombëtarja e Brazilit në një miqësore ndaj Senegalit, ku hyri si zëvendësues.
Me ardhjen e brazilianit, Liverpool po tenton ta zëvendësojë Fabinhon, që kaloi në Arabinë Saudite ditë më parë.
Përndryshe, “Reds” kanë humbur një numër të mesfushorëve si Naby Keita, Alex Oxlade-Chamberlain dhe James Milner, që u larguan sapo iu skaduan kontratat.
Ndërkohë, klubit i janë bashkuar Alex Mac Allister si dhe Dominik Szoboszlai.
