Liverpool hyn në garë me Arsenalin për Alexander Isak
Interesi i Liverpoolit për sulmuesin e Newcastle United, Alexander Isak, një objektiv i njohur i Arsenalit, raportohet se po rritet ndërsa ata përgatiten të marrin një vendim mbi të ardhmen e Darwin Núñezit.
Pavarësisht se kanë një pozicion të fortë në garën për titullin e Premierligës, Liverpool pritet të rinovojë repartin ofensiv këtë verë, veçanërisht për shkak të pasigurisë së vazhdueshme rreth së ardhmes së Mohamed Salahut, i cili po i afrohet fundit të kontratës së tij.
Gjetja e një sulmuesi kryesor mendohet të jetë një nga prioritetet e Arne Slot këtë verë, dhe sipas The Times, të kuqtë po rrisin interesin për të sfiduar Arsenalin në garën për nënshkrimin e Isak në fund të sezonit.
Isak është nën kontratë me Newcastle deri në vitin 2028 dhe bisedimet për një zgjatje të mundshme janë në vazhdim, por aftësia e 'Magpies' për të siguruar futboll evropian mendohet të jetë kyçe për mbajtjen e tij. Skuadra e Eddie Howe ndodhet aktualisht në vendin e gjashtë, tre pikë larg katërshes së parë.
Nëse Newcastle nuk arrin të kualifikohet për Ligën e Kampionëve këtë vit, pritet që Isak të marrë disa oferta nga klube që mund t’i garantojnë një vend në elitën e futbollit evropian. Arsenal ka shprehur prej kohësh interes, me The Athletic që raporton se trajneri Mikel Arteta "e adhuron" sulmuesin suedez.
Çdo marrëveshje për Isak pritet të ketë një kosto të lartë dhe Liverpool mund të sigurojë fonde përmes shitjes së Nunezit, i cili ishte pranë një largimi nga Anfield në janar, por The Reds ndjenë se nuk kishin kohë të mjaftueshme për ta zëvendësuar.
Sipas Fabrizio Romanos, ka një "mundësi të fortë" që Nunez të largohet nga Liverpool këtë verë, mes lidhjeve të vazhdueshme me Ligën Saudite, ku janë mbajtur bisedime për një largim të mundshëm të tij. Sulmuesi uruguaian ka shënuar gjashtë gola në 36 paraqitje në të gjitha kompeticionet këtë sezon.