Liverpool gjen alternativën e Bellinghamit, në negociata të avancuara me yllin argjentinas
Liverpool është favoriti në garën për shërbimet e mesfushorit Alexis Mac Allister, me lojtarët e Brightonit që besojnë se lojtari është i destinuar për të luajtur në "Anfield".
24-vjeçari që pas suksesit në Kupën e Botës është duke u kërkuar nga shumë gjigantë evropianë dhe në verë pritet të largohet përfundimisht nga Brightoni.
Dy klubet nga Mançesteri deri vonë janë parë si ndër opsionet e mundshme, por tani Liverpool ka marrë në dorë garën pasi dështuan në transferimin e mesfushorit të Dortmundit, Jude Bellingham.
Diskutimet mes klubit dhe lojtarit kanë nisur dhe kanë qenë shumë pozitive, me argjentinasin që është i hapur për ta bërë lëvizjen e madhe në karrierë.
"Reds" tashmë i kanë prezantuar lojtarit projektin dhe propozimin financiar dhe do të vazhdojë me bisedime në javët e ardhshme, me diskutimet që janë të avancuara por ende nuk është e kryer.

Kuptohet, një marrëveshje e tillë nuk do të jetë e lehtë pasi Brightoni janë negociues të fortë gjë që e dëshmuan në janar duke mos e lejuar Moises Caicedo t'i bashkohet Arsenalit apo Chelseas.
Mac Allister ka kontratë me Brightonin deri në vitin 2025, atë me opsion vazhdimi për një tjetër prandaj klubi anglez ka të drejtë t'i vendos çfarë do çmimi.
Dëshira e madhe e Kloppit deri vonë ishte Bellingham, por anglezi pritet të kalojë te Real Madridi meqenëse Liverpool u tërhoq shkaku i gjendjes financiare.