Liverpool fiton sfidën e “çmendur” ndaj Fulhamit - NACIONALE

Liverpool fiton sfidën e “çmendur” ndaj Fulhamit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool ka triumfuar me mund ndaj Fulham, derisa Chelsea arkëtoi pikët e plota ndaj Brightonit, në kuadër të xhiros së 14-të në Premierligë.

“Reds” fituan përballjen interesante ndaj Fulhamit me rezultat 4:3, sfidë që ishte dramatike nga minuta e parë.

Trent Alexander-Arnold kaloi Liverpoolin në epërsi me një gol sensacional nga gjuajtja e lirë (20’).

Fulham u këndell shpejtë me Wilson që realizoi pas harkimit të Robinsonit (24’).

Liverpool doli sërish në skenë, për të kaluar prapë në epërsi. Sërish me një eurogol, këtë herë nga Alexis Mac-Allister që realizoi nga distanca duke e lënë të shtangur portierin (38’).

Sidoqoftë, mysafirët prapë u kthyen në lojë, këtë herë me Tete që shënoi nga afërsia (45+3’).

Fulham pastaj bëri befasinë duke e përmbysur me të inkuadruarin De Cordova-Reid që realizoi brenda zonës pas harkimit fantastik të Cairney (80’).

Sidoqoftë, me dy gola për dy minuta Liverpool ia doli t’i fitojë pikët e plota.

Fillimisht Endo realizoi nga distanca për ta barazuar rezultatin (87’), kurse në aksionin tjetër Arnold shënoi një tjetër gol të bukur për përmbysjen e madhe (88’).

Liverpool tani renditet në pozitën e dytë me 31 pikë, derisa Fulham bie në vendin e 14-të me 15 sosh.

Lajme të ngjashme