Liverpool e Roma turpërohen në Ligë të Evropës
Ashtu si Roma që pësoi humbje 2:0 nga Slavia e Pragës, edhe Liverpooli u mposht nga Toulouse 3:2, në kuadër të xhiros së katërt në grupe të Ligës së Evropës.
Të dy skuadrat edhe pse me humbje, janë shumë afër ta sigurojnë kalimin në fazën tjetër të garës, atë të eliminimit direkt.
Toulouse – Liverpool
Skuadra vendase ishte më e motivuar se kurrë sot. Francezët zhvilluan një nga paraqitjet më të mira të tyre në vitet e fundit, ku i shkaktuan mjaftë shumë kokëçarje skuadrës së Jurgen Klopp.
Aron Donnum gjeti rrjetën në pjesën e parë në minutën e 36-të, për 1:0, që ishte goli i vetëm i 45 minutave të para.
Pjesa e dytë ishte më aktive nga të dyja skuadrat, ku u shënuan gjithsej katër gola deri në fund.
Ishte sulmuesi holandez Thijs Dallinga, që dyfshoi epërsinë në minutën e 58-të me një gol shumë të bukur.
Pak minuta më vonë, saktësisht në minutën e 74-të, Cristian Casseres, shënoi autugol, për ngushtimin e rezultatit në 2:1.
Por skuadra vendase u kundërpërgjigj shpejt dhe Frank Magri shënoi për 3:1 dy minuta më vonë.
Krejt çfarë Liverpooli bëri deri në fund ishte një gol i shënuar nga Diogo Jota në minutën e fundit të takimit, për 3:2.
Edhe pse humbën, Liverpooli mbetet në vend të parë me nëntë pikë, ndërsa Toulouse është ndjekësi më i afërt me shtatë pikë.
Slavia Prague – Roma
Slavia e Pragës ia ka shkaktuar një humbje të hidhur skuadrës së Jose Mourinhos.
Pjesa e parë e takimit përfundoi pa gola, ndërsa në 45 minutat e dyta u shënuan dy golat që vendosën fatin e takimit.
Ishte Vaclav Jurecka që shënoi për epërsinë fillestare të Slavisë së Pragës në minutën e 50-të.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar u kujdes Lukas Masopust, që në minutën e 74-të shënoi për 2:0.
Roma dhe Slavia janë në krye të grupit me nga nëntë pikë, me Servette që ka katër pikë në vendin e tretë dhe e fundit Sheriff me një pikë.