Liga e Konferencës: Në mungesë të Edon Zhegrovës, Lille eliminohet nga Liga e Konferencës - NACIONALE

Liga e Konferencës: Në mungesë të Edon Zhegrovës, Lille eliminohet nga Liga e Konferencës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Skuadra e Edon Zhegrovës, Lille, në mungesë të tij, është eliminuar nga Liga e Konferencës, duke mbyllur rrugëtimin në Evropë në çerekfinale, me Aston Villën që fitoi përballjen pas penalltive.

Në ndeshjen e kthimit në Francë, Lille ishte shumë afër ta fitonte përballjen brenda 90 minutave, duke përmbyur rezultatin e arritur në Angli një javë më parë.

Aston Villa fitoi 2:1 si vendase, ndaj për Lillen kërkohej fitore me dy gola epërsi për të arritur gjysmëfinalen e Ligës së Konferencës.

Skuadra e Paulo Fonsecës luajti pa Edon Zhegrovën, yllin kosovar, që është shndërruar në një lojtar kyç për klubin, por edhe në këtë rast, ata arritën të shënonin dy gola.

Ishte Yusuf Yazici që çoi francezët në epërsi 1:0 në minutën e 15-të, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2:2 dhe deri në përfundim të 45 minutave të parë gola nuk pati më.

Benjamin Andre arriti ta dyfishonte epërsinë e Lilles në minutën e 68-të, kështu duke i dhënë shpresë kësaj skuadre për një gjysmëfinale.

Kur të gjithë menduan se përfundoi gjithçka, Matty Cash ishte heroi i Aston Villës, që shënoi tre minuta pa përfunduar takimi, për ta çuar ndeshjen në vazhdime.

Në 30 minutat e ardhshëm nuk pati gola, me fituesin që u desh të përcaktohej nga penalltitë.

Lojtarët e Aston Villës u treguan shumë të ftohtë nga 11-metra, kështu që fituan përballjen me 4:3, dhe do të vazhdojnë garën në gjysmëfinale, ndërsa Lille e Edon Zhegrovës e përfundon rrugëtimin evropian këtu.

Tani Aston Villa në gjysmëfinale do të luajë me fituesin nga ndeshja Olympiacos - Fenerbahce, përballje kjo që ka filluar tashmë.

Lajme të ngjashme