Liga e Kombeve: Kombëtarja e Shqipërisë sot përballet me Çekinë
Kombëtarja e Shqipërisë sot e zhvillon përballjen e parë të muajit tetor, ku takohet me Çekinë në Epet Arena, me fillim nga ora 20:45.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar dy ndeshje deri më tani në grupin B1 të Ligës së Kombeve, duke humbur një e fituar tjetrën, teksa sot synojnë tri pikë, për të mbetur në garë për ta fituar grupin.
Natyrisht, favoriti në letër është Çekia, por që skuadra e Sylvinhos e njeh mirë kundërshtarin, pasi kanë luajtur kundër tyre në eliminatoret për EURO 2024, madje duke i mposhtur me rezultat të thellë 3:0 në njërën prej ndeshjeve.
Shqipëria ka mungesën e madhe të Berat Gjimshitit, por që kualiteti në mbrojtje e lejon Sylvinhon të bëjë ndryshime.
Dje në konferencë për shtyp u paraqitën trajneri e Nedim Bajrami, të cilët thanë se janë të përgatitur në maksimum për ndeshjen, duke e ditur se sa kundërshtarë i vështirë është Çekia.
Kjo përballje zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në Epet Arena, teksa pas tri ditësh, Shqipëria do ta luajë ndeshjen tjetër në udhëtim, kundër Gjeorgjisë.